Ebola, Nigeria shpall emergjencën kombëtare

09/08/2014 00:00

Pas Sierra Leones dhe Liberisë tani është Nigeria që ka shpallur emergjencë kombëtare pas shpërthimit të virusit Ebola në këtë shtet.

Gjendja e emergjencës u shpall nga Presidenti Goodluck Jonathan, i cili i bëri thirrje popullit nigerian që të raportojnë çdo rast të dyshuar te autoritetet mjekësore. Ai kërkoi që të mos përhapen informacione të rreme për virusin, të cilat mund të çonin në histeri masive.

Një ditë më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka deklaruar përhapjen e Ebolës në Afrikën Perëndimore si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore.

Zyrtarët e OBSH-së thanë se pasojat e mundshme ishin “veçanërisht serioze”, për shkak të egërsisë së virusit.

Njoftimi erdhi pasi eksperët u mblodhën në një takim emergjent dyditor në Zvicër. Deri tani, 930 njerëz kanë vdekur nga Ebola në Afrikën Perëndimore, gjatë këtij viti.

Top Channel