Makina bie në humnerë, 2 të vdekur

08/08/2014 00:00

Dy persona kanë vdekur dhe katër të tjerë janë plagosur  gjatë një aksidenti rrugor në aksin Dukagjin-Shkodër, në vendin e quajtur “Guri i Mashës”.

Automjeti tip Fuoristradë “RangeRover”, me drejtues Fatjon Pjetrin, ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 80 metra në humnerë. Si pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi italian Xhorxho Paroggano, 67 vjeç, banues në Torino, ndërsa Pëllumb Muri, 35 vjeç, ka ndërruar jetë gjatë transportimit në spital.

Drejtuesi i mjetit, shtetasi Fatjon Pjetri, 28 vjeç, banues në Shkodër, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është dërguar për ndihmë të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Shtetasit Kristian Gjini, vjeç 23, banues në Velipojë, Fran Deda, vjeç 23, banues në Palaj, Erald Papleka, vjeç 22, banues në Shkodër, edhe këto pasagjerë në mjet, ndodhen të shtruar në Spitalin Rajonal Shkodër, me plagë më të lehta, jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor i cili po kryen veprimet dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Top Channel