Këtë vit në shkollat e Shqipërisë do të nisë një program i ri, që synon rritjen e aktivitetit fizik të nxënësve në mjediset shkollore.
Programi “Sporti në shkollë” duket se është një nga të preferuarit e Kryeministrit Edi Rama, i cili ka ndjekur në Vlorë një seancë stërvitore të vetë mësuesve të edukimit fizik.
Kryeministri, një ish-basketbollist profesionist, është i vetëdijshëm se kjo nuk është një sfidë dhe aq e thjeshtë, sepse Shqipëria për fat të keq, renditet vendi i fundit në Europë për lëvizjet fizike të popullatës dhe vetëm 4 përqind bëjnë ushtrime fizike.
“Ky është vetëm fillimi. Mësuesit kanë vite që nuk kanë lëvizur vetë, nuk e di sa kanë bërë të lëvizin të tjerët. E rëndësishme është që ne të fillojmë. Do të jetë një fillim i vështirë, por i domosdoshëm. Na duhet ta fillojmë nga përgatitja e mësuesve të edukimit fizik dhe nga marrja në punë e një numri të ri dhe të konsiderueshëm mësuesish, të cilët duhet të jenë të aftë të përballojnë kërkesat e platformës së sportit në shkollë”, u shpreh Kryeministri Rama.
Për Kryeministrin Rama “Sporti në shkollë” është një program që do t’ia vlejë çdo qindarkë të shpenzuar për të, sepse mbi të gjitha i shërben cilësisë së shëndetit të shoqërisë.
“Është e provuar që një euro e investuar në sport dhe në edukimin fizik është baras me 3 euro të kursyera në shëndetësi. Fatkeqësisht sot në rang Europe kemi popullsinë me masat më të lartë të mbipeshës, mbi 50%. Ndërkohë, që afro 25% e popullsisë janë në kushte obeziteti. Këto janë shifra alarmante, skandaloze, janë shifra për një shoqëri thellësisht të prapambetur, por janë shifra që mund të përmbysen duke filluar nga shkolla”, shtoi Kryeministri.
Top Channel