Ish-drejtori i Degës së Thesarit, Dorian Çollaku, do të qëndrojë në paraburgim, së bashku me 9 të arrestuarit e tjerë, pas vendimit të gjykatëses Fida Osmani.
Çollaku ka pohuar sërish se nuk ka asgjë për të thënë për momentin dhe se e rezervon këtë të drejtë për në një çast tjetër. Ai dyshohet nga prokurori i çështjes, Ramadan Troçi, se me veprimet e mosveprimet e tij ka shkaktuar vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë.
Sipas prokurorisë, ai ishte njeriu që duhet të sugjeronte një rregullore, për sektorin ku ndodhi vjedhja, i cili rezulton të ketë funksionuar pa një të tillë për mbi një vit.
“Ai është i dyshuar vetëm për shkak të pozicionit që ka në Bankën e Shtetit. Ne do të këmbëngulim në të gjitha shkallët e gjyqësorit, që ai të marrë pafajësinë dhe këtë e bazojmë te provat që do t’i vëmë në dispozicion të drejtësisë. Sa i përket provave deri tani, momentalisht nuk mund të japim prononcim”, shprehet Ramiz Billa, avokat.
Ndërkohë, gjatë hetimeve paraprake, prokuroria hedh dritë me të dhëna të tjera, që me sa duket do të venë në pikëpyetje edhe punën e disa institucioneve të tjera gjatë këtyre viteve, përfshi Shërbimin Informativ dhe Policinë e Shtetit.
Gjashtë nga të arrestuarit, tre prej tyre punonjës në Arkën Stok dhe tre në Arkën në Veprim, janë të pajisur me çertifikatë sigurie të nivelit më të lartë për sekretin shtetëror, që është çertifikata e kategorisë “C”, e që lëshohet nga DSIK, pas verifikimeve që bëhen në bazë të dokumentacionit për kandidatin, që përpara se të marrë çertifikatën e sigurisë duhet t’i konfirmohet pastërtia e tij penale, pasuria e tij dhe gjendja shëndetësore.
Mes punonjësve që kanë marrë çertifikatën e sigurisë së kategorisë “C” është edhe Ardian Bitraj, i pajisur me të që në vitin 2011, ndërkohë që nëse do të merret i mirëqenë rrëfimi i tij, atëherë del që nga viti 2010, kur dhe ka nisur supervjedhjen, ai po ashtu ka filluar të humbasë edhe shuma të konsiderueshme në lojrat e fatit.
E ndërsa vijonte veprimtarinë e tij fare i qetë, gjatë kësaj kohe me sa duket askush nuk e ka verifikuar atë, përderisa ai kishte në dispozicion jo vetëm të tre çelësat e sektorit të Tranzitit, por edhe një çertifikatë që është ende në fuqi edhe për pak muaj.
Të arrestuarit e tjerë që kanë të njëjtin dokument sigurie, thotë prokuroria, janë edhe personat e tjerë nën hetim për skandalin e vjedhjes.
Top Channel