Qeveria reagon për BSH: Krim i rëndë

06/08/2014 00:00

Dy javë pas grabitjes së shekullit në Bankën e Shqipërisë vjen reagimi i parë i qeverisë duke e konsideruar akt të rëndë kriminal dhe një sfidë të madhe për drejtësinë në radhë të parë.

Nëpërmjet një njoftimi për median Këshilli Ministrave thotë se “Prokuroria duhet të bëjë një hetim të gjithanshëm, të shpejtë dhe shterues për të ndëshkuar çdo person të përfshirë në krimin tronditës.

Ky akt është po ashtu një sfidë e madhe për autoritetin dhe sigurinë e Bankës së Shqipërisë, thuhet në vijim të njoftimit, e cila brenda kuadrit të pavarësisë së vet duhet të garantojë përmes rishikimit të gjithanshëm të rregullave e mekanizmave të funksionimit të brendshëm, mospërsëritjen e asgjëje të ngjashme në të ardhmen.

Në deklaratën e qeverisë nuk përmendet Guvernatori Fullani i vendosur prej disa ditesh nën ciklonin e opinionit publik e mediatik dhe as Këshilli Mbikqyrës i Bankës. Por sipas qeverisë ky akt është edhe një sfidë e madhe për pushtetet e tjera vendimmarrëse, Kuvendin dhe Qeverinë që të analizojnë e të dalin në përfundime në mënyrë konstruktive e  në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, mbi nevojat e masat e duhura ligjore për të garantuar, në respekt të plotë të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, një sistem solid kontrolli e transparence të veprimtarisë së këtij institucioni kyç për mirëfunksionimin e shtetit shqiptar.

Ky paragraf i deklaratës lë të kuptohet se qeveria nuk është e kënaqur me transparencën e deritanishme të Bankës së Shqipërisë prandaj i kërkon kreut të Kuvendit, Ilir Meta një ndërhyrje ligjore.

Në fund të deklaratës theksohet se “Qeveria i siguron të gjithë shqiptarët se po e ndjek me shumë vëmendje ecurinë e veprimit të organeve të drejtësisë për zbardhjen e plotë të krimit tronditës në Bankën e Shqipërisë dhe është e vendosur, të luajë rolin e vet për çdo nismë që do të mund të nevojitet në funksion të një sistemi të padepërtueshëm sigurie në funksionimin e Bankës Qendrore të shtetit shqiptar.

Aktiviteti i bankave nuk cënohet”
Shoqata e bankave garanton: Aktiviteti ynë është i pandikueshëm nga vjedhj
a

Shoqata Shqiptare e Bankave deklaron se ngjarja e ndodhur në Bankën e Shqipërisë nuk ndikon aspak në aktivitetin e tyre.

Përmes një njoftimi zyrtar, shoqata ka siguruar publikun dhe veçanërisht klientët e bankave në vend se aktiviteti i gjithë bankave tregtare vijon normalisht.

Sipas shoqatës, pavarësisht nga ngjarja e rëndë në Bankën e Shqipërisë, i gjithë sistemi financiar ka ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar vazhdimin normal të veprimtarisë për furnizimin me likuiditet të tregut ndërbankar ndërkohë që bankat tregtare janë gjithmonë të angazhuara të zbatojnë me përpikmëri kuadrin rregullativ dhe masat e nevojshme për realizimin e funksioneve të sigurimit dhe mbrojtjes.

Top Channel