Vera për fituesit e Top Fest

16/07/2014 00:00

Një verë me axhendë të ngjeshur, videoklipe, koncerte, turne por edhe shumë argëtim i pret fituesit e edicionit të 11-të të “Top Fest”.

E ndërkohë që zhvillojnë planet e tyre profesionale gjejnë kohën edhe për të bërë pak pushim me miqtë apo familjarët e tyre.

Këngëtarja Venera Lumani fituesja e  “Best Balade” këto ditë ka udhëtuar drejt Strugës për koncert, por edhe për të qëndruar pak ditë pranë familjes.

“Deri tani kam patur pushime të vogla të kombinuara me koncerte. Ne e kemi traditë që të mblidhemi dy në vit si familje në pushime dimërore dhe ato verore për të kaluar me familjen. Është një “urdhër” nga babi. Ka edhe një koncert në Romë, koncert i këngëtarit tim të preferuar, Paolo Nutini, do shkoj edhe atje nja 2-3 ditë, pastaj kisha qejf në Turqi, por s’e di sa do të realizohet”, rrëfen Venera.

Ndërsa fituesit e “Best Hip- Hop & RNB” i pret një muaj me shumë punë. Angelo do të përfundojë albumin, ndërsa Big Basta pret t’i japë jetë projekteve ambicioze dhe të niset për pushime “të çmenduara” me Vesën.

“Punën këtë verë do ta kem me radion dhe kam përshtypjen që do të më bllokojë pak si shumë. Sa për pushimet, për mua do të preferoja jashtë Shqipërisë. Me Vesën jemi duke përjetuar disa emocione të tjera për pushimet që duam të kalojmë”, thotë Big Basta.

“Gjithmonë kam patur shumë qejf që pushimet verore t’i bëj jashtë. Jugun e kam frekuentuar shumë dhe më pëlqen. Besoj se këto pushime do t’i kalojë me shoqërinë dhe një pjesë me familjen që jeton në Greqi. Do preferoja ishujt e Greqisë”, thotë Angelo.

Ky ishte një vit shumë i mbarë për Grupin “Lynx”. “Best Group” në Top Fest 11” ‘e ka në dorë’ e të organizuar verën. Djemtë janë duke punuar për 2 këngë të reja për të cilat do të realizojnë edhe klipet, ndërsa pushimet…do t’i kalojnë bashkë.

“Pushimet verore akoma nuk kanë filluar për ne. Kemi në plan t’i kalojmë të gjithë bashkë. I kisha premtuar familjes që do bëja pushime me familjen, por më duket se do t’i zhgënjej edhe këtë vit pasi kemi shumë koncerte, në Korçë, bregdet, sidomos në Vlorë. U japim shumë premtime në verë njerëzve të afërt, por asnjëherë nuk na del koha për pushime. Ne pushimet si grup i kemi të lidhura me muzikën sepse atje ku shkojmë për koncerte bëjmë edhe pushime”, tregojnë pjesëtarët e bandës.

Ndërsa pjesa tjetër e artistëve triumfues në këtë edicion Soni Malaj, Vëllezërit Korçarë, Xhensila Myrtezaj gjenden në bregdet apo duke realizur videoklipe, të cilët shumë shpejt do të prezantohen për publikun.

Top Channel