Novak Djokovic: Ishte një moment perfekt

14/07/2014 00:00

Novak Djokovic ka shkuar drejt altarit me të fejuarën e tij prej shumë vitesh, Jelena Ristic. Tenisti serb, fitues i Uimbëlldonit, zgjodhi që të martohet disa ditë pas fitimit të trofeut.

Fustani i nusërisë për Jelenen që është shtatzënë ishte dizajnuar nga Sarah Burton e Alexander McQueen, që stiloi edhe fustanin e nusërisë së Dukeshës së Kembrixhit, Kate Midëllton.

Djokovic tha për revistën “Hello”: “Kur e pashë Jelenen për herë të parë me fustanin e nusërisë, duke qeshur dhe duke ardhur drejt meje, m’u duk si një ëngjëll. Isha shumë i fokusuar tek Jelena, buzëqeshja e saj dhe fëmija jonë. Me të vërtetë ishte një moment perfekt.”

Ndërsa bashkëshortja e tenistit Djokovic tha: “Isha shumë nervoze. Sapo pashë Novakun me sy të përlotur fillova menjëherë të qaja. Isha shumë e lumtur dhe fakti që jam shtatzënë më bën shumë emocionale. Jam e bekuar që e kam në jetën time. Nuk do të gjeja kurrë një partner më të mirë se ai. Dasma ishte sikurse e kishim parashikuar. Familja jonë dhe miqtë më të afërt ishin aty për të festuar dashurinë tonë. Ishte shumë emocionuese dhe e paharrueshme për ne”.
 
Djokovic tha në intervistën për revistën “Hello” se fakti që u martua disa ditë pas fitores së Uimbëlldonit e bëri këtë moment edhe më special.

FOTO GALERI
6/13

Top Channel