Barazia, realitet i dëbuar në Maqedoni

06/07/2014 00:00

Aleksandër Çipa – Revolucioni i devijuar apo përdorur, degradon me gurëhedhje mbi prijësit e tij.

Kështu po ngjet në dy ditët e fundit në Maqedoni me shqiptarët. Dhe kur themi “revolucioni”, kemi parasysh atë që ngjau në vitin 2001, e cila përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit. Lënia në papërfundim implementues e asaj marrëveshjeje për shqiptarët, tashmë ka nisur pasojat dhe pse jo edhe një proces, i cili duhet njohur si rrezik eksploziv për ekzistencën e mëtejshme të kësaj republike të sajuar. Por, para se të merremi me atë pasojë që ka sjellë e po nis të ngjajë (mosrealizimi praktik i principeve të barazisë që parashihte Marrëveshja e Ohrit), le të kapemi tek ajo që ngjau në 40 orët e fundit në Shkup.

Pas shpalljes së dënimit me burgim të përjetshëm nga gjykata për gjashtë shqiptarët e akuzuar për rastin “Monstra”, familjarët, qindra qytetarë shqiptarë dhe disa militantë fetarë me flamuj jeshilë u përleshën me forcat e policisë maqedonase, e cila gjithëherë e mbajti të shkruar uniformën e vet në gjuhën sllave, pavarësisht se me ligj shërben për gjithë popullsinë, pavarësisht nga përbërja etnike e saj. Dhuna e policisë, me të drejtë, krahasohet me atë të milicisë së ish-Jugosllavisë dhe po kaq flagrante duket, egërsia e ushtruar mbi shqiptarët. Domethënë, qartazi policia e një shteti, godet e gjakos qytetarët e vet, të cilët nuk i përkasin etnisë së shumicës. Ky është “kampioni” i bollshëm e madje i vetëmjaftueshëm, për të lexuar kushdo se në këtë republikë, barazia është një realitet i dëbuar së pari prej sjelljes dhe patologjisë shtetërore.

I akuzuari pa devijanca, për këtë gjakim shqiptarësh në Shkup, është Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski.

Mirëpo, në ditën e dytë të protestës së shqiptarëve, nuk ndodhi që protestuesit të adresoheshin pranë institucioneve të larta shtetërore të Shkupit, por mësynë institucionet e përfaqësimit shqiptar, përkatësisht selinë e Komunës së tyre, atë të Çairit dhe selinë e partisë në qeverisje, Bashkimit Demokratik për Integrim. Shqiptarët e irrituar iu rikthyen vetes, përfaqësimit të tyre politik në Shkupin zyrtar dhe madje edhe mediave, të cilat, bënë e bëjnë, punën e tyre pasqyruese për atë çka ngjet në sheshet dhe rrugët e protestës me dhunë policore dhe gjakim shqiptarësh.

Irritimi i shqiptarëve ka mjaftuar për një përzierje të tyre në këtë revoltë. Një përzierje, e cila është vënë në dukje së pari nga mediat shqiptare në Maqedoni, nga ato në Kosovë dhe Shqipëri. Reagimet e diplomacisë zyrtare nga Shqipëria, Kosova dhe Tetova kanë qenë të përmbajtura. Një apel vetëpërmbajtjeje, i cili le të nënkuptojë kushdo, se mbart në vetvete dy elemente përbërëse. Elementi i parë lidhet me Marrëveshjen e pakryer të Ohrit. Një marrëveshje, e cila do të korrespondonte me një realitet të barazisë etnike dhe integrimit ndëretnik në Maqedoni, një barazi shansesh dhe mirëqenieje mes dy etnive, si dhe një inkurajim prej shumicës për pakicën, e cila si edhe shumica, të fitojë statusin e së drejtës së pasjes së gjuhës, institucioneve arsimore dhe ato të kulturimit në nivel të njëjtë me shumicën, në qytetet dhe fshatrat e saj. Kontrasti mes hapësirës së shqiptarëve dhe asaj të maqedonasve në Maqedoni është vrasës. Një kontrast si ai mes prapambetjes dhe zhvillimit, mes së urbanizuarës dhe rurales, mes orientales së shekullit XVIII dhe europianes së ditëve tona. E thënë sipas kolegut Kim Mehmeti, mes një vendi që ka lejuar për shqiptarët vetëm mjediset dhe sheshet e xhamive për t’u shprehur dhe integruar rinia shqiptare në këtë vend. Për këtë kontrast në fajësi dhe përgjegjësi mbesin e do të shfaqen edhe Shqipëria, edhe Kosova. Politikat e mosndërhyrjes dhe ato të kompleksit të paqes në rajon, në këtë aspekt rezultojnë të kenë minuar procesin e integrimit dhe të barazisë brenda hapësirës kombëtare shqiptare.

Në këtë harrim të detyrimit përmbarues të Marrëveshjes së Ohrit, për politikën shqiptare në Maqedoni, më shumë është i përfshirë Ali Ahmeti dhe natyrisht në përgjegjësinë e vet mbetet edhe PDSH-ja e Mendu Thaçit. Këtu nisi dhe, siç po e dëshmojnë edhe zhvillimet e fundit, po mavijoset pakënaqësia e shqiptarëve ndaj politikës bipartiake të tyre. Për këtë arsye është e shumëmbledhur pakënaqësia shqiptare jo vetëm në Shkup, por edhe në periferitë e Tetovës e Strugës. Mirëpo, pakënaqësia ndaj prijësve, e lënë në rrjedhën e pakontrolluar, duket se po vlen dhe tepron si “karrem” për faktorë dhe aktorë të tjerë të huaj e të rrezikshëm. Ndër këta faktorë janë dy llojesh: një pjesë e përdorur prej elementesh dhe strukturash konspiracioni rajonal dhe një pjesë tjetër, prej sektesh dhe strukturash radikale që abuzojnë e keqpërdorin shpirtin besimtar të shqiptarëve muhamedanë të kësaj pjese të hapësirës sonë, brenda Maqedonisë. Përgjegjësia e elitës së klerikëve shqiptarë jo vetëm në Maqedoni, por sidomos aty, dhe e institucioneve shqiptare të besimit në përgjithësi, në këtë moment dhe në kësi zhvillimesh nevojitet të karakterizohet nga largpamësia dhe orientimi kah interesi kombëtar dhe europianist. Së fundi, syçeltësia e institucioneve politike dhe partiake të shqiptarëve jo vetëm që është e injoruar, por fatkeqësisht e pandihmuar edhe prej institucioneve dhe shteteve sekulare, përkatësisht në Shqipëri dhe Kosovë.

Flamujt jeshilë dhe thirrjet e radikalëve islamikë në protestën e fundit të shqiptarëve në Shkup, dëshmojnë jo vetëm prezencën shqiptare, por edhe të dikujt që frymëzon përkundër interesit dhe strategjisë sonë europiane. Apelet e partive politike si të pozitave ashtu edhe të opozitave në Shqipëri, në Kosovë dhe në mënyrë më të kompleksuar në Maqedoni, janë shprehje e nevojës për të evituar vetëndëshkimin shqiptar.

Dëgjueshmëria e këtij apeli lidhet me domosdoshmërinë e mospërfshirjes së një komponenti jashtëshqiptar, në marrëdhënien me shtetin e dhunshëm në Maqedoni, i cili rezulton të administrohet njëkahshëm, nga maqedonasit. Kjo republikë e dënuar të mbesë me shqiptarët dhe vetëm me ta, në të kundërt zhbëhet, sot prej faktorit politik shqiptar dhe jo prej elementit fetar, meriton të marrë mësimin e punës që duhet kryer. Kjo punë e pakryer për barazi ndër shtetas lidhet me pikat e pakryera të Marrëveshjes së Ohrit. Që të imponohet ajo, si nevojë imediate dhe si domosdoshmëri për tejkalim të faktorëve ekstrapolitikë, (sot dhe jo nesër!), nevojitet që Ali Ahmeti dhe Mendu Thaçi të mos sillen si pozitë dhe opozitë. Të dy këta aktorë politikë të shqiptarëve në republikën e sajuar të Maqedonisë, duhet ta dinë thelbësisht se nuk janë homologë të sjelljes Rama-Basha në Tiranë apo Thaçi-Mustafa në Prishtinë. Ata janë mishërues dhe përfaqësues të një roli me peshë dhe përmbajtje të dyfishtë brenda hapësirës shqiptare. Për këtë shkak dhe kësi arsyesh, të dy këta aktorë rrezikohen të zëvendësohen nga një aktor tjetër i dyshimtë dhe me rreziqe të shumëfishta, i panjohur dhe i pazgjedhur legjitimisht prej shqiptarëve. Tejkalimi i vetvetes së deritanishme nis nga dëbimi i flamujve të ardhur pa adresë dhe si identitet i tjetërkujt, në krye të protestës së shqiptarëve. Reagimi dhe çdo protestë shqiptarësh meriton të bazohet te lartimi i të vetmit flamur identifikues dhe shpëtues, atij kuqezi. Për ta rifituar hapësirën e zënë prej flamujsh dhe thirrjesh ekstrapolitike, nëpër tubime apo protesta shqiptarësh, politikanët Ahmeti dhe Thaçi, si dhe pasardhësit e tyre në këto poste, detyrohen të shembin formën dhe sjelljen e deritashme politike. Gati pamundësisht, ata duhet të fitojnë shpejtësinë e kohës së humbur, për rikthimin e domosdoshëm të barazisë së dëbuar mes shtetasve të dy etnive. Kjo është jetike në shtetin që rrethohet nga “deti ballkanik i padëshirave” për të ekzistuar.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA