Video/ Mbi 100 robotë përgatiten për gjysmëmaratonën e dytë humanoide në Kinë Vila e Zogut në Durrës ka çelur dyert për të parin festival të muzikës së vjetër “Vox Baroque” në vendin tonë.
Përmes artit, interpretimit instrumental të specializuar të repertorit barok, festivali synon jo vetëm të kultivojë shijet e artdashësve për muzikën e vjetër, por edhe të promovojë vlerat e trashëgimisë sonë historiko-kulturore, duke i nxjerrë në pah ato.
Jusuf Beshiri, drejtor i festivalit, tha: “Ishte kënaqësi që Princi e pranoi kërkesën time për të organizuar këtë festival.”
Festivali u çel nga Princ Leka, në cilësinë e mikpritësit në vilën që ndodhet mbi kodrën e Durrësit e që megjithëse e zhveshur nga grabitjet masive të vitit 1997, nuk e ka humbur madhështinë dhe u kthye në një sallë të bukur koncertore e ndihmuar dhe nga atmosfera e stilit barok, projektuar në muret e zhveshura të saj.
Ansambli austriak i tingullit origjinal Barucco, i pari që hapi këtë festival, u mirëprit nga të ftuarit me pjesë nga repertori i kompozitorëve Purcell, Corelli, Schmelzer dhe Muffat.
Mbrëmjen e sotme, një tjetër grup austriak do të interpretojë në Durrës, ndërsa në Parkun Arkeologjik të Apollonisë do të interpretojnë dy artistë që vijnë nga Greqia dhe Cekia në një dyshe për violinë dhe ljutë baroke.
Krahas grupeve të ndryshme barok që marrin pjesë, në festival do të debutojë për herë të parë edhe trio e Albanian Baroque Ensemble, e formuar nga tre muzikantë shqiptarë që kanë studiuar në shkollat italiane.
Top Channel