NSA ka përgjuar edhe Shqipërinë

02/07/2014 00:00

Edhe qeveria shqiptare ka qenë në listën e shteteve, që janë përgjuar nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA).

Gazeta amerikane “Washington Post” ka publikuar disa dokumente të klasifikuara, të cilat dyshohet se janë marrë nga nën-kontraktori i NSA, Eduard Snouden, ku listohen 193 shtetet, ku NSA-ja mund të kryejë përgjime telefonatash dhe të postës elektronike.

Në këtë listë, e cila është miratuar nga Gjykata e Inteligjencës së Jashtme dhe Mbikqyrjes, në vitin 2010, nuk figurojnë vetëm Britania e Madhe, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re, të cilat së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës njihen si grupi i “Pesë syve”.

Fusha e përgjimeve të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë amerikane është e shtrirë jo vetëm te qeveritë e shteteve apo të individëve të veçantë, por edhe tek organizata të fuqishme ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, grupi i Bankës Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Bashkimi Europian, si dhe një sërë bankash apo organizatash të tjera të fuqishme, në Lindjen e Mesme apo në Afrikë.

Në dokumentet e publikuar nga “Washington Post”, të cilat mbajnë siglën “Sekret” apo “Top Sekret”, veç listës së shteteve ku autorizohet përgjimi, paraqiten dhe vendimet e gjykatave dhe Prokurorit të Përgjithshëm, të cilët i hapin rrugë NSA-së për të kryer këto përgjime. Por, në asnjë prej këtyre dokumenteve nuk specifikohet, se cilët kanë qenë zyrtarët apo individët e mbajtur nën mbikqyrje nga NSA.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel