Në përvjetorin e 238 të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ambasadori amerikan Aleksander Arvizu ka vlerësuar marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë.
“Na duhet ende të përmbushim qëllimin e vyer të një Europe që është e plotë e lirë dhe në paqe. Ky kërkim është i vazhdueshëm dhe progresi i vetëm që është arritur deri tani është që të vazhdojmë në këtë kërkim të pandërprerë. Javën e shkuar Shqipëria arriti një gur kilometrik domethënës drejt përmbushjes së një pjese të këtij vizioni të ardhshëm. Vendimi i këshillit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat ishte i mirë për Shqipërinë, ishte i mirë për Europën dhe ishte i mirë për Shtetet e Bashkuara. Ishte i mirë për SHBA-të sepse ne jemi të lidhur me Europën me anë të Atlantikut dhe jo të ndarë prej tij. ”, u shpreh Aleksander Arvizu.
Gjatë fjalës së tij ambasadori amerikan ka vlerësuar gjithashtu edhe aksionin e Policisë së Shtetit në Lazarat.
“Faleminderit Policisë së Shtetit shqiptar të drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm, Artan Didi, shumë anëtarë të RENEA-s dhe të ndërhyrjes së shpejtë që spikatëm në Lazarat dy javë më parë janë sonte këtu, duke u kujdesur që të gjithë ne të jemi më të sigurt”, deklaroi Arvizu.
Mes të ftuarve në ceremoninë e organizuar ishin Presidenti Nishani, kreu i opozitës Basha, zv/kryeministri Peleshi, anëtarë të qeverisë, deputetë, por kanë munguar Kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Meta të cilët ndodhen në vizita jashtë vendit.
Top Channel