Trazira në Belfast pas sulmit me thikë, akte dhune ksenofobike përfshijnë edhe qytete të tjera të Britanisë Forcat ukrainase kanë ndërmarrë një operacion në shkallë të gjerë ushtarake kundër separatistëve pro-rusë në lindje të vendit, disa orë pasi armëpushimi mes palëve skadoi.
Bazat e rebelëve dhe bastionet e tyre u gjendën nën sulmin e aviacionit dhe artilierisë, deklaruan burime pranë qeverisë ukrainase.
Armëpushimi 10-ditor përfundoi mbrëmjen e së hënës, me presidentin Petro Poroshenko që deklaroi se, elementë kriminalë kishin cënuar shansin për paqe.
Liderët perëndimorë dhe Rusia i kishin bërë thirrje atij që ta zgjaste më tej armëpushimin. Ndërkohë, ofensiva në lindje të vendit u njoftua të martën edhe nga kryetari i Parlamentit, Oleksandër Turchynov, i cili foli para deputetëve.
“Mund t’ju informojë se në mëngjes faza aktive e operacionit anti-terror u përsërit. Forcat tona të armatosura po kryejnë sulme ndaj bazave terroriste dhe pikave të tyre të kontrollit”, tha ai.
Presidenti Poroshenko u shfaq në një fjalim televiziv natën mes së hënës dhe së martës, duke thënë: “Ne do të sulmojmë, do të çlirojmë tokën tonë”.
Presidenti ukrainas është ndodhur nën një presion të madh nga protestuesit që bëjnë thirrje për përsëritjen e operacioneve kundër separatistëve. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën se e kanë shkelur armëpushimin.
Një telekonferencë 4-palëshe e zhvilluar të hënën mes Poroshenkos, presidentit rus Putin, atij francez Hollande dhe kancelares gjermane Merkel kishte dhënë shpresë për një ripërtëritje të armëpushimit.
Por në fjalimin e tij zoti Poroshenko tha: “Vendimi për të mos vazhduar armëpushimin është përgjigjia jonë ndaj terroristëve, militantëve dhe plaçkitësve”.
Top Channel