Në aksin rrugor Elbasan-Tiranë po punohet sërish 24 orë në 24, por këtë herë jo për shkaqe elektorale. Afati 1 gusht për dorëzimin e objektit ka bërë që firma “Aktor” të përshpejtojë punimet për ta përfunduar atë në kohë.
E kontaktuar në telefon, drejtoresha e njësisë së menaxhimit të projektit Tiranë-Elbasan, Majlinda Gjonaj tha se bllokimi i rrugës është kërkuar nga “Aktor” për ta përfunduar atë në kohë.
Madje, shton ajo, ky aks rrugor nuk duhet të ishte hapur në qershor për shkaqe elektorale përderisa rruga ende nuk ishte gati. Për të mos penguar lëvizjen e qytetarëve, shton zonja Gjonaj, po bëhet bllokimi i rrugës me afate të shkurtra kohore.
Ndërkohë, menaxheri i projektit Tiranë-Elbasan, Angelo Papadhimitriu tha se çdo segment i këtij aksi do të jetë gati në 1 gusht.
“Janë rreth 250 punëtorë dhe 200 makineri të cilat po punojnë me kohë të plotë për ta mbaruar këtë aks rrugor brenda afatit të parashikuar. Po punojnë 24 orë në 24 për ta mbaruar sa më shpejt dhe qytetarët të kalojnë lehtësisht. Bllokimi i rrugës u kërkua për shkaqe teknike që të mund të punojmë me kohë të plotë dhe pa krijuar rrezikshmëri për qytetarët”, deklaroi Papadhimitriu.
Por njoftimet e herëpashershme për mbylljen e këtij aksi rrugor kanë krijuar konfuzion tek drejtuesit e mjeteve të cilët ishin të lajmëruar për çeljen e saj më 1 korrik. Por ashtu, siç ndodh rëndom në Shqipëri, rregullat nuk zbatohen nga të gjithë.
Siç shihet edhe nga filmimet tona, një pjesë jo e vogël mjetesh janë lejuar të kalojnë në këtë aks rrugor, megjithëse punimet vazhdojnë dhe megjithë rrezikshmërinë që paraqitet për shkak të shpërthimeve të dinamitit.
Top Channel