Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli pretencën ndaj të pandehurit Dritan Dajti 43 vjeç, duke i kërkuar gjykatës që ta shpallë atë fajtor për nëntë akuza, katër prej të cilave janë vrasje në rrethana cilësuese të efektivëve të Policisë, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani.
Për vrasjen e secilit nga efektivët që ranë në krye të detyrës gjatë një operacioni policor për kapjen e Dritan Dajtit, që në atë kohë ishte i kërkuar për një vrasje tjetër, prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm.
Prokurori Ardian Nexha i tha gjykatës se për vrasjen e punonjësit të policisë Fatos Xhani, Dajti të shpallet fajtor e të dënohet me burg të përjetshëm, po ashtu edhe për vrasjen e efektivit Sajmir Duçkollari të dënohet me burgim të përjetshëm, e po ashtu edhe për vrasjen e punonjësve të policisë Kastriot Feskajt dhe Altin Dizdari.
Prokurori kërkoi fajësinë dhe dënimin e Dritan Dajtit edhe për vrasjen e Ledjon Mares dhe plagosjen e të miturit Fatjon Shamkut e për rrjedhim dënimin e të pandehurit për këtë akuzë me 25 vjet heqje lirie.
Në vijim të leximit të konkluzioneve prej 78 faqesh, prokuroria kërkoi fajësi për Dajtin edhe për armëmbajtje pa leje, mbajtje pa të drejtë të uniformës së policisë si edhe falsifikim dokumentash në dy episode.
Në përfundim, u shpreh prokurori gjatë procesit me dyer të mbyllura, kërkojmë që Dritan Dajti të dënohet me burg të përjetshëm, një milionë lekë gjobë si edhe shpenzimet proceduriale në vlerën e 278 mijë lekëve t’i ngarkohen atij.
Prokurori i shpjegoi gjykatës se në bazë të dëshmive të 22 efektivëve që morën pjesë në gusht 2009 për të arrestuar Dritan Dajtin, ishte rënë në gjurmët e tij në bazë të informacioneve se i kërkuari merrej edhe me trafik droge dhe gjobëvënie, por asnjëra nga këto nuk u provua gjatë hetimit, tha prokurori.
Dritan Dajti, sipas prokurorisë, ishte në atë kohë numri dy më i kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe gjatë aksionit për kapjen e tij ai brenda dhjetë minutash me veprime të drejtpërdrejta, tha prokurori, ka vrarë katër efektivët e policisë, ndërsa duke qëlluar në drejtim të efektivëve ai ka vrarë edhe Ledion Marën, vdekjen e të cilit Dajti nuk e ka dëshiruar.
Prokurori ka shpjeguar në pretencën e tij dinamikën se si u vranë gjatë aksionit katër efektivët në gusht 2009, dhe se si gjatë ikjes Dajti ka qëlluar për t’i shpëtuar policisë, duke vrarë një person e duke plagosur një të mitur.
Procesi Dajti mori rrugë më shumë se tre javë më parë, kur pas kërcënimit me jetë të relatorit të çështjes Idriz Mulkurti, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që seancat të zhvillohetshin me dyer të mbyllura dhe vetëm me praninë e palëve.
Procesi Dajti është gjyqi më i gjatë në historinë 10-vjeçare të ekzsictencës së Gjykatës së Krimeve të Rënda i cili ka shënuar 275 seanca, pjesa e dërrmuese e tyre të shtyra për shkak të dorëheqjes së avokatëve nga lista e avokatëve kryesisht.
E ndërsa duket se kjo odise tashmë është drejt fundit, pas pretencës së prokurorisë nuk dihet ende se kush do ta mbrojë Dritan Dajtin në seancën përfundimtare, ku sipas Kodit pas organit të akuzës, radha për të folur përpara dhënies së vendimit është e avokatëve.
Top Channel