Iraku merr avionët e parë rusë kundër ISIS

29/06/2014 00:00

Iraku ka bërë të ditur se ka siguruar tashmë dërgesën e parë të avionëve luftarakë të porositur nga Rusia, të cilat do ta ndihmojnë atë të luftojë kundër ofensivës së rebelëve sunitë.

Ministri i Mbrojtjes tha se 5 avionët sulmues “Sukhoi Su-25” do të nisin nga puna brenda 3 apo 4 ditësh”. Kryengritësit kontrollojnë pjesë të rëndësishme të Veriut dhe Perëndimit të vendit, pas një serie sulmesh gjatë 3 javëve të fundit.

Të shtunën, qeveria tha se kishte rimarrë nën kontroll qytetin verior të Tikritit, por rebelët e kanë hedhur poshtë këtë pretendim. Tikriti është edhe vendlindja e ish-diktatorit Saddam Hussein.

Televizioni shtetëror tha se 60 militantë janë vrarë deri më tani, teksa po bëhen përgatitje për të avancuar më në veri, drejt qytetit të zotëruar prej rebelëve, Mosulit, i dyti më i madh i vendit.

Rebelët kanë konfirmuar luftime të ashpra në qytetin që e pushtuan më 11 Qershor, por lanë të kuptohej se sulmi i qeverisë kishte dështuar, duke thënë se ata po ndjekin tashmë ata që kanë ngelur nga ofensiva ushtarake.

Ministri iraken i Mbrojtjes tha gjithashtu se marrëveshja me Rusinë “synonte të rriste fuqinë goditëse të forcave ajrore dhe pjesës tjetër të forcave të armatosura, në mënyrë që të luftojnë terrorizmin”.

Kryeministri i Irakut, Nouri al-Maliki tha për BBC se qeveria e tij kishte nënshkruar një marrëveshje me Rusinë dhe Bjellorusinë për t’u furnizuar me avionë luftarakë. Marrëveshje kjo që kap shifrën e 500 milionë dollarëve.

Forcat ajrore të Irakut kanë pasur vështirësi deri më tani në përballimin e avancimit të militantëve, të udhëhequr nga Shteti Islamik në Irak dhe Levant (ISIS-ISIL), teksa raportohet se ato nuk kanë më as raketa ajër-tokë.

Sipas burimeve ushtarake irakene, ofensiva në Tikrit ishte koordinuar së bashku me këshilltarët ushtarakë amerikanë. Gjithsesi, edhe pse SHBA-të kanë konfirmuar se ka ngritur në fluturim avionë të telekomanduar në Irak për të mbrojtur personelin amerikan në terren, zyrtarë amerikanë thonë se 300 ushtarakët e dërguar për të ndihmuar qeverinë nuk janë përfshirë drejtpërdrejt në veprime ushtarake.

Top Channel