Pas vrasjes së Brahim Manit mbrëmjen e së mërkurës në Shkodër, policia e këtij qyteti ka shpallur në kërkim si autor të dyshuar 26-vjeçarin Tarzan Prroni.
Por ky i fundit, në një intervistë telefonike për Top Channel nga Italia, ku deklaron se jeton prej vitesh, shprehet i habitur për këtë fakt.
“Duke qenë në Itali, duke mos pasur lidhje në këtë punë që ka ndodhur, të hapin edhe njëherë prej fillimit një ngjarje që ka ndodhur prej shumë vitesh . Të flitet emri im në të gjithë Shqipërinë, të më bëjnë mua vrasës?! Kjo është një gjë mua më mundon, pse?”, thotë ai.
Sipas tij hasmëria me familjen Mani e nisur që në vitin 1994, është mbyllur 12 vite më parë.
“Në 2002 sipas zakoneve që janë në Shkodër, kemi dhënë dorën dhe kemi firmosur dokumentat në atë kohë me ndërmjetësimin e shoqatës së pajtimi, se nuk e mbaj mend mirë, kam qenë i vogël në atë kohë”, rrëfen 26-vjeçari.
Prroni tregon se pas marrjes së njoftimit se ishte shpallur në kërkim është paraqitur në Policinë e Firences, ku dhe jeton por atje i është komunikuar se nuk ka asnjë urdhër-ndalimi për të.
Në fund ai shton se është i gatshëm t’i paraqitetet autoriteteve shqiptare, pasi nuk ka gisht në vrasjen e Brahim Manit.
Top Channel