Ukrainë, armëpushimi deri të hënën

28/06/2014 00:00

Qeveria ukrainase dhe separatistët pro-rusë në lindje kanë rënë dakord për të shtyrë edhe për 72 orë armëpushimin e arritur një javë më parë.

Afati i armëpushimit një javor përfundonte në orën 22:00 me atë lokale. Separatistët zhvilluan bisedime gjatë së premtes me ish-presidentin ukrainas, Leonid Kuchma, ambasadori i Moskës në Ukrainë, si edhe përfaqësues të OSBE-së.

Lideri i ‘Republikës Popullore të Donetsk”, tashmë të vetëshpallur, Aleksander Boroday tha se armëpushimi i ri do të zbatohet deri më 30 qershor. Një deklaratë e publikuar në rrjetet sociale nga Presidenca në Ukrainë konfirmohet armëpushimi i ri deri të hënën në orën 22:00.

Më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se do të mirëpriste arritjen e një armëpushimi të ri, po jo një ultimatum për dorëzimin e armëve nga separatistët. Putin ka këmbëngulur për armëpushim afatgjatë për të mundësuar negociata mes qeverisë ukrainase dhe separatistëve.

Njoftimi për armëpushimin e ri erdhi pak orë pasi Poroshenko nënshkroi paktin historik të tregtisë me BE-në. Pakti është arritur pavarësisht krizës aktuale në Ukrainë.

Presidenti ukrainas ka lavdëruar paktin “historik” tregtar të nënshkruar me Bashkimin Europian, duke e quajtur ditën e premte “më të rëndësishmen” pas Pavarësisë së vitit 1991. Por, Rusia paralajmëroi se marrëveshja e partneritetit, e nënshkruar gjithashtu edhe nga dy shtete të tjera të ish-Bashkimit Sovietik, Gjeorgjia dhe Moldavia, do të ketë “pasoja serioze”.

Top Channel