Avokati i Popullit, Igli Totozani është zgjedhur president i Organizatës Ndërkombëtare të Avokatëve të Popullit të Mesdheut.
Më 27 qershor, në mbledhjen e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të organizatës me rastin e zgjedhjeve të përgjithshme, Totozani u zgjodh president i saj.
Gjatë kësaj mbledhjeje u zgjodhën Këshilli Administrativ dhe Byroja e re. Sekretar i përgjithshëm i kësaj organizate u zgjodh Avokati i Popullit të Republikës Franceze.
Shoqata e Ombudsmanëve të Mesdheut, ku bëjnë pjesë 27 vende, ndër të cilët Franca, Spanja, Greqia, Maroku, Algjeria, Izraeli, Sllovenia, Maqedonia, Qipro etj, është krijuar më 19 dhjetor 2008 në Marsejë, me rastin e mbledhjes së dytë të rrjetit mesdhetar të Ombudsmanëve.
Kjo organizatë ndërkombëtare, e drejtuar deri tani nga Ombudsmani i Mbretërisë së Marokut, përbën një nga rrjetet më të fuqishme të avokatëve në botë dhe gjithashtu ka një rol të theksuar ndërkombëtar në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Top Channel