Lazarat, një tjetër në pranga, 33 në total

28/06/2014 00:00

Ka shkuar në 33 numri i personave të arrestuar në fshatin e Lazaratit. Së fundmi, uniformat blu prangosën një 60-vjeçar me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.

I prangosur është Ismail Buci. Ai dyshohet dyshohet se në ditët e para të operacionit ka kundërshtuar me armë forcat e policisë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur edhe një sasi prej 82 kilogramësh lëndë narkotike e llojit marijuanë.

Të enjten është bërë arrestimi i shtetasit Abas Avdulla Birbili, vjeç 61.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga në banesën e tij është gjetur një sasi prej 22 thasë të mbushur me bimë narkotike kanabis sativa, me një peshë prej 210 kg, si dhe 4 pako të mbështjella me natriban me të njëjtën bimë, me një peshë rreth 3 kg.

Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar e ndaluar 30 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për prodhim e shitje të narkotikëve, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë, për shkatërrim prone, etj.

Po ashtu është sekuestruar një sasi shumë e madhe droge dhe është proçeduar penalisht dhe kreu i Komunës Lazarat.

Në thuajse dy-javë të operacionit bilanci i Policisë së Shtetit është 33 të arrestuar, mbi 60 ton marijuanë të sekuestruar, 5 kilogram heroinë, rreth 15 kilogram drogë çokollatë, 3 kilogram farë kanabis sativ, 8.8 litër vaj hashashi, 5 laboratorë përpunimi droge, 362 armë zjarri automatike, rreth 210 mijë fishekë dhe 1157 kallëpe tritoli.

Top Channel