“Çamët besojnë te drejtësia europiane”

28/06/2014 00:00

“Ne e duam Çamërinë sepse Çamëria është e jona”. Me këtë slogan, kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi i është drejtuar të pranishmëve të mbledhur në “Bulevardin Dëshmorët e Kombit”, në përkujtim të 70 vjetorit të genocidit ndaj popullsisë çame në Greqi. Por sipas Idrizit, ky tubim ka një tjetër mesazh veç përkujtimit.

“Ne nuk jemi këtu për të filluar një vajtim kolektiv, nuk mund ta shërojmë. Ne jemi këtu për ta shndërruar në forcën tonë”, tha Idrizi.

Kreu i PDIU-së theksoi se partia e tij është mbështetëse e fuqishme e Bashkimit Europian, por më parë duhet të bashkohemi mes nesh.

“Partia jonë e do bashkimin kombëtarë dhe projektin e madh të familjes europiane. Por para se të bashkohemi me të tjerët ne duhet të bashkohemi me njëri tjetrin. Të reagojmë bashkë sepse ne jemi të gjithë shqiptarë”, u shpreh kreu i PDIU-së.

E në fund të fjalimit të tij, Shpëtim Idrizi, risolli në vëmendje amanetin e të parëve.

“Ne do t’i kthehemi Çamërisë dhe do të gëzojmë pasurin e prindërve tanë. Ato janë tonat dhe janë shqiptare dhe tani është koha”, shtoi Idrizi.

I pranishëm në këtë  ceremoni përkujtimore ishte dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti, i cili theksoi se kjo ditë tregon se shqiptarët nuk harrojnë.

“Ne jemi mbledhur këtu pasi refuzojmë të harrojmë. Ne nuk duhet ta mendojmë veten as brenda kufijve administrativ të Shqipërisë dhe as të Kosovës, për arsye se kombi shqiptar është më i madh se Shqipëria, më i madh se Kosova dhe më i madh se të dyja këto bashkë. Teksa përmendim gjithmonë përmendim gjithmonë edhe Çamërinë edhe Kosovën, nuk duhet të harrojmë se ashtu siç e ka Shqipëria Çamërinë e saj në jug, ashtu edhe Kosova e ka Çamërinë e vet në veri-lindje. 700 vendbanime shqiptare janë dëbuar nga Nishi. Prandaj Çamëria e ka motrën e vet jo në Kosovë, por në veri-lindje të saj”, deklaroi Albin Kurti.

Ky përkujtim mbyllet të shtunën me marshimin e përvitshëm në Qafë Botë.

Top Channel