Shtyhet miratimi i dhënies me konçesion të ndërtimit të terminalit miltimodal në Tiranë. Pas më shumë se dy orë debat, anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë vendosur të shtyhet për mbledhjen e radhës për shkak të parregullësive në bazën ligjore.
Këshilltarët e majtë kanë ngritur pretendimin se ligji për konçesionet ka ndryshuar, ndërkohë që proçedurat e paraqitura i përkisnin ligjit të vjetër.
Nga ana tjetër, nënkryetari i bashkisë Enno Bozdo kërkoi që të miratohej dhënia me konçesion dhe përshtatja me ligjin e ri të bëhej më pas kur do të nevojitej, në mënyrë që t’i hapej rrugë fazës tjetër, asaj të shpalljes së garës dhe përzgjedhjes së kompanisë që do të fitojë konçesionin.
Projekti i terminalit multimodal u prezantua një ditë më parë nga Bashkia e Tiranës. Ky projekt parashikon ndërtimin e një stacioni për mjetet e transportit publik për linjat interurbane.
Këshilltarët kanë vlerësuar një projekt të tillë për kryeqytetin, por kanë lënë kohë që çdo proçedurë të bëhet sipas ligjit të ri
Në fund të mbledhjes Këshilli bashkiak ka miratuar projekt/vendimin për privatizimin e Klubit të Futbollit Tirana.
Top Channel