Në Bukuresht përfundoi samiti i krerëve të shteteve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, ku Shqipëria mori presidencën e radhës.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë një konference shtypi me homologun e tij rumun, vlerësoi nismën si edhe pjesëmarjen në të të Kosovës, që sipas tij i shërben gjithë rajonit.
“Presidenca shqiptare do të synojë rezultate të prekshme për pjesëmarrësit në SEECP dhe rajonin, si të tërë, duke e fokusuar aktivitetin e saj në forcimin e rolit rajonal, promovimin e dialogut ndërmjet anëtarëve të SEECP-it dhe konsolidimin e rëndësisë sektoriale të organizatës, të cilat do të përbëjnë edhe shtyllat kryesore të aktivitetit tonë.
Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë shtylla që garantojnë paqen, sigurinë e stabilitetin në rajon dhe parakushte për integrimin e tij në Bashkimin Evropian.
Për këto arsye, Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore mbetet forumi qendror politik, bazuar në vullnetin e vetë vendeve të rajonit. Ai duhet të jetë institucioni gjithëpërfshirës, ku të gjitha këto vende të jenë të pranishme dhe të unifikojnë qëndrimet e tyre për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane.
Në këtë frymë, pjesëmarrja e Kosovës në SEECP është shumë e rëndësishme, jo vetëm për vetë Kosovën, por edhe për rajonin tonë në tërësi”, deklaroi Nishani.
Top Channel