Video/ Mbi 100 robotë përgatiten për gjysmëmaratonën e dytë humanoide në Kinë
Korea e Veriut ka paralajmëruar një “hakmarrje të pamëshirshme” nëse një film i prodhuar nga Hollivudi për vrasjen e Kim Jong Un do të shfaqet në kinematë amerikane në muajt e ardhshëm.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme deklaroi për median shtetërore të vendit të izoluar komunist se, shfaqja e këtij filmi do të ishte një “akt lufte”.
Zëdhënësi nuk e përmendi titullin e filmit, por prodhimi i Hollivudit mban emrin “Intervista” dhe pritet të shfaqet nëpër kinema në tetor.
Në këtë film të zhanrit aksion-komedi interpretojnë aktorët James Franco dhe Seth Rogen. Ata interpretojnë dy gazetarë që ftohen për të intervistuar Kim Jon Un dhe rekrutohen nga CIA për ta vrarë liderin korean.
Trajleri i filmit, i publikuar tashmë në Youtube, tregon një aktor aziatik që ngjan me Kim Jong Un, si dhe skena luftimi ku përfshihen tanke dhe helikopterë koreano-veriorë, si dhe një raketë bërthamore.
“Prodhimi dhe shfaqja e një filmi me skenar vrasjen e liderit tonë të madh është një akt i pastër terrorizmi dhe luftë dhe që natyrisht nuk do të tolerohet”, deklaroi zëdhënësi për agjencinë e lajmeve “KCNA”.
Ai shtoi se, “marrëzia amerikane” për të prodhuar këtë film dhe për të sfiduar lidershipin e Veriut është shkaktare e një “shpërthimi urrejtjeje dhe irritimi” mes popullit dhe ushtrisë koreano-veriore.
“Nëse administrata amerikane lejon dhe mbron shfaqjen e filmit, atëherë një kundër-veprim i pamëshirshëm do të ndërmerret nga ne”, citohet më tej zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.
Top Channel