Në minierën e kromit në Bulqizë ka nisur puna për hapjen e pusit numër 9 përmes të cilit bëhet e mundur marrja e rezervave të mineralit në thellësi të minierës në një sasi prej rreth 2 milionë tonë.
Hapja dhe montimi i makinerive e pajisjeve të pusit është marrë përsipër nga një kompani kineze që do të angazhojë për këtë qëllim një personel prej 70 punonjësish.
Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se ky është një investim i garantuar dhe i jep frymëmarrje minierës së Bulqizës. Ai shtoi se të tjera investime do të kryhen jo vetëm në Bulqizë, por në të gjitha minierat e vendit, duke synuar sigurimin e jetës e shendetit të minatorëve, por edhe rritjen e prodhimit e shtimin e vendeve të punës.
Ndërsa ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj tha se qeveria ka vendosur të ulë moshën e daljes në pension për minatorët. Veliaj theksoi se minatorët që kanë punuar 30 vjet gjithësej dhe nga këto 12.5 vjet në minierë dalin në pension 55 vjeç, nga 60 vjeç që dilnin më parë.
Po ashtu, ulen vitet e punës nëntokë nga 16 në 12.5 vjet. Investimi për hapjen e pusit numër 9 kap vlerën e 20 milionë eurove dhe do të realizohet deri në fund të vitit 2014.
Top Channel