Terminali multimodial i Tiranës

24/06/2014 00:00

Bashkia e Tiranës ka prezantuar projektin për terminalin multimodal, çka presupozon ndërtimin e një stacioni të madh për automjetet e transportit publik, në afërsi të kthesës së Kamzës.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, aktualisht përllogaritet një gjatësi prej 3.1 km që zihet nga autobusë që vijnë nga rrethet e ndalojnë në kryeqytet, duke pritur pasagjerë.

Ndërkohë që një sasi prej 6 tonë gaz karbonik çlirohet prej rreth 2.000 automjeteve që hyjnë e dalin në qytet në shërbim të transportit publik nga linjat interurbane.

“Terminali që ne prezantojmë sot bën të mundur 340 vendparkime, 5 platforma treni, 3 platforma tramvaji të linjës nga terminali në hyrje të qytetit. Mundëson lëvizjen e 60 mijë pasagjerëve në fazën fillestare dhe ka kapacitete për t’u shërbyer 220 mijë pasagjerëve në fazat e mëvonshme. Rreth 6 tonë gaz karbonik apo grimca përbërësish të tjerë të rrezikshëm për shëndetin e njeriut nuk do të emetohen më”, deklaroi Basha.

I gjithë projekti është përllogaritur në vlerën e 41 milionë eurove, por që sipas Bashës, asgjë nuk do të paguhet nga taksapuguesit. Kryetari i bashkisë i kërkon anëtarëve të Këshillit Bashkiak miratimin e dhënies me konçesion të terminalit multimodal në mbledhjen e radhës, e parashikuar të mërkurën më datë 25 qershor.

“Sot më 24 qershor 2014 Bashkia e Tiranës përmbyll me sukses këtë projekt dhe përmbush këtë premtim dhënë qytetarëve. Projekti është gati, financimi është gati, proçedura konçesionare është gati. Mbetet që përfaqësuesit e vullnetit të qytetarëve të thonë ‘po’ dhe të nisim nga puna”, shtoi Basha.

Basha garantoi transparencë të plotë për kompaninë e cila do të marrë lejen e konçesionit për këtë projekt.

Top Channel