Në kuadër të “Javës Çame” e gjithë klasa politike u bashkuan në ekspozitën e organizuar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.
Në këtë aktivitet, në kuadër të 70-vjetorit të genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, morën pjesë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe i PD-së Lulzim Basha, si dhe deputetë të Parlamentit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi në fjalën e tij vlerësoi bashkimin e politikës në një aktivitet kaq të rëndësishëm.
“Qoftë orë e mirë! Kështu thonë çamët kur takohen me njëri-tjetrin dhe qoftë kjo një orë e mirë dhe për ju. Jam shumë i lumtur e i nderuar sot, kur një kauzë për shqiptari ka bërë bashkë gjithë politikën shqiptare. Miqtë e mi, dua t’ju shoh të gjithëve bashkë, pavarësisht bindjeve tona politike”, u shpreh Idrizi.
Më tej kreu i PDIU-së theksoi se e drejta e shqiptarëve të Çamërisë për t’u kthyer në trojet e tyre nuk bie ndesh me vlerat europiane.
“Kauza çame nuk ka të bëjë me integrimin, por me vendosjen në vend të rregullave të kartës së BE për dinjitetin njerëzor. Ne jemi në kërkim të fqinjësisë së mirë”, tha Idrizi.
“Java Çame”, tashmë e kthyer në një traditë, kulmon në fundjavë me marshimin drejt Qafë Botës, vendit-simbol të dëbimit të shqiptarëve të Çamërisë.
Top Channel