Matematika, ngelin 25% e maturantëve

23/06/2014 00:00

Në provimin e maturës shtetërore të matematikës kanë mbetur 10 mijë nxënës, nga 45 mijë maturantë që i janë nënshtruar provimit. Rezultatet përfundimtare kanë treguar se niveli real i nxënësve është i ulët në këtë lëndë.

Deputetja në komisionin e medias dhe arsimit, Ledi Shamku tha se ky është niveli real i nxënësve, i cili është mbuluar për vite të tëra nga Ministria e Arsimit.

“Kemi 10 mijë mbetës, kemi rreth 2 mijë nxënës që morën 10 dhe vetëm 250 që morën kuotën maksimale prej 50 pikësh. Ishte një korrigjim shumë i sinqertë. Po ta vëreni, ky rezultat përputhet me atë të testeve ndërkombëtare si Piza”, deklaroi Shamku.

Shamku thekson se hyrja pa asnjë kriter në Fakultetetin e Shkencave egzakte ka bërë që sot të kemi mësues të paaftë dhe të punësuar në mënyra klienteliste.

“Kemi tekste që nuk kuptohen më prej vitesh. Matematika është bërë e palexueshme dhe hermetike. Fakulteti i Shkencave egzakte është katandisur në pikë të hallit, që do të thotë se atje nuk shkojnë më të mirët dhe ne nuk kemi më mësues për këto lëndë. Së treti, është mënyra sesi janë punësuar mësuesit deri tani, jo sipas meritokracisë”, nënvizoi Shamku.

Matura shtetërore po tregon nevojën emergjente për reformim, por edhe për rritjen e kritereve të pranimit të studentëve, si dhe të punësimit të mësuesve.

Top Channel