Kontributi vullnetar i kadetëve

23/06/2014 00:00

Një grup kadetësh amerikanë kanë kontribuar vullnetarisht për lyerjen e godinës dhe mbjelljen e pemëve në qendrën shëndetësore numër 1, e cila u shërben 3.000 banorëve në zonën pranë varrezave të dëshmorëve në Tiranë.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja vlerësoi kontributin e tyre, tashmë jo vetëm në qendrat shëndetësore, por dhe ato të personave me aftësi të kufizuara.

“Një mesazh i rëndësishëm është se duhet t’u rikthehemi aktiviteteve vullnetare kur bëhet fjalë për shëndetin e njerëzve. Sepse është një problem që prek shoqërinë dhe tek shëndeti në radhë të parë duhet të tregojmë tiparet solidare të shoqërisë sonë”, deklaroi Beqja.

Ndërsa ambasadori amerikan tha se ky është një kontribut i vogël, por kemi të tjera projekte të përbashkëta. “Ne thjesht duam të jemi miq të mirë. Është një gjest i vogël dhe modest nga ana jonë. Ne jetojmë këtu dhe kjo klinikë ndodhet në lagjen tonë. Vumë re që ajo ka nevojë për pak punë dhe ndryshim. Ne kemi një numër projektesh në fushën e ndihmesës në bashkëpunim me ministrin e Shëndetësisë”, deklaroi Arvizu.

Ministri i Shëndetësisë tha se së shpejti do të ndërhyhet edhe për rikonstruksionin e shërbimit të kirurgjisë së përgjithshme dhe disa qendrave shëndetësore.

“Ne kemi deklaruar se do hapim kantierin e shëndetësisë. Para 9 ditësh bordi i guvernatorëve të Bankës së KiE miratoi një kredi prej 16 milionë euro me interesa të favorshme dhe 5 milionë euro grante për të rehabilituar kirurgjinë e përgjithshme dhe seksione të tjera”, saktësoi Beqja.

Përveç investimeve në përmirësimin e infrastrukturës, ministri i Shëndetësisë kujtoi se në vjeshtë nis projekti i madh për check up-in e sëmundshmërisë për grupmoshën 40-65 vjeç.

Top Channel