Të gjithë kundër gjyqësorit të korruptuar

17/06/2014 00:00

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu u shpreh se gjyqësori shqiptar mbetet një hallkë e dobët dhe që nuk e dënon tarfikun e qënieve njerëzore.

Arvizu tha se qeveria mund të bëjë përpjekjet e saj edhe pse do ta ketë të vështirë me një gjyqësor të dobët.

“Disa prej aspekteve më të rëndësishme të luftës kundër trafikut të qënieve njerëzore janë hetimet e thelluara dhe ndjekja penale e suksesshme që rezulton në dënime kuptimplota.

Fatkeqësisht, në 2013-n pati vetëm 2 dënime për trafikim të qënieve njerëzore. Arrestimet e shumta të trafikantëve në fund të 2013-s dhe fillimin e vitit 2014 është tejet e rëndësishme, është jetike që të përkthehen në një numër të lartë dënimesh.

Dhe mënyra më e mirë që të ndodhë kjo është që qeveria të bëjë punën e saj dhe gjithashtu që prokurorët dhe gjykatësit të bëjnë më shumë përpjekje që të arrihet progresi i mirëfilltë.

Qeveria mund të bëjë të gjitha përpjekjet që të arrihet progresi i mirëfilltë, por në Shqipëri, pa këtë hallkë të dobët që është gjyqësori, këto gjëra nuk mund të arrihen”, deklaroi Arvizu.

Në workshop-in e organizuar nga Ambasada Amerikane me prani edhe të prokurorëve nga SHBA-të, zëvendëskryeministri Niko Peleshi vlerësoi asistencën e tyre.

Numri dy i qeverisë tha se, vendimet e dhëna nga gjyqësori janë të pajustifikueshme dhe shtoi se qeveria do të bëjë përpjekje të reformimit të sistemit të drejtësisë.

“Prania juaj në këtë aktivitet është treguesi i asaj që dimë të gjithë, që krimi dhe trafiqet nuk njohin kufij dhe se bashkëpunimi mes vendeve tona është domosdoshmëri nëse duam të fitojmë luftën ndaj aktiviteteve kriminale që u ka kushtuar shumë vendeve tona”, u shpreh Peleshi.

Top Channel