“Lazarati, sinjal i fortë për statusin”

17/06/2014 00:00

Pas përshëndetjes nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, operacioni i ndërhyrjes në Lazarat është konsideruar edhe nga Austria si një tjetër sinjal i fortë i vendosmërisë së Shqipërisë për të luftuar trafikun e lëndëve narkotike.

Shefi i diplomacisë së këtij vendi, që para pak ditësh u bë nismëtar i një letre dërguar homologëve të vet në Bashkimin Europian për ta mbështetur statusin e Shqipërisë, e ka bërë këtë konfirmim në Tiranë, kur u pyet nga Top Channel nëse ndërhyrja në Lazarat është një argument i fortë pro Shqipërisë përpara vendimit për statusin.

“Është një tregues i qartë i vendosmërisë së qeverisë shqiptare për të luftuar trafikun e lëndëve narkotike. Të njëjtën vendosmëri duhet të kemi edhe në luftën kundër korrupsionit dhe zbatimit të shtetit ligjor. Mendoj se kjo do të jetë një sinjal mjaft i fortë për vendet anëtare. Letra që iu nisëm atyre para pak kohësh ishte konfirmim i punës së Shqipërisë, ministrit tuaj të jashtëm dhe qeverisë që kanë bërë një punë bindëse dhe shumica e vendeve anëtare mendojnë se Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat”, deklaroi Sebastian Kurz.

Përpos mbështetjes për avancimin e Shqipërisë në BE, Austria gjithashtu do të mbështesë Shqipërinë në reformën në drejtësi. Kjo ishte një tjetër nismë e Shqipërisë që u vlerësua në raportin e Komisionit Europian, për çështjen që ndër vite është theksuar si shqetësim nga vendet anëtare dhe po aq nga qeveria aktuale, kur një ditë më parë Kryeministri e cilësoi drejtësinë si “Lazarati i gjithë Shqipërisë”.

Ministri  austriak i Drejtësisë nga ky takimi konfirmoi asistencën në këtë fushë.

“Ndihma jonë do të asistoje jo vetëm në teori, por edhe në zbatimin në praktikë të reformës në drejtësi. Për mua është kënaqësi e madhe që të ndihmojmë Shqipërinë në forcimin e shtetit ligjor. E mira do të ishte të nisnim që sot nga puna”, tha Wolfgang Brandstetter.

Por megjithë vlerësimet publike të pjesës më të madhe të vendeve anëtare, përgjigjja për statusin e vendit kandidat do të mësohet vetëm në Këshillin e Ministrave të vendeve anëtare pas 5 ditësh.

Përpara këtij vendimi shefi i diplomacisë sonë ka shmangur parashikimin kur tha se matematika nuk ndihmon shumë në këtë proces, por shtoi se ajo që Shqipëria pret është demostrimi i besueshmërisë nga vendet anëtare, pas provës që vendi yne iu dha dhe që u çertifikua nga raporti i Komisionit Europian, ndërsa pohoi se Shqipëria nuk ka çështje të hapura me ndonjë vend që mund të bëhet bllokuesi i momentit të fundit.

“Do të doja që të shmangja në këto momente parashikimin, apo orakullin për vendime surprizë apo qëndrime surprizë sepse ne besojmë që Shqipëria nuk ka çështje bilaterale, por edhe në rast se do të kishte çështje bilaterale ka forume se si mund të adresohen dhe të zgjidhen këto çështje dhe natyrisht nuk është procesi i integrimit tavolina ku mund të zgjidhen këto çështje. Nën dritën e parashikueshmërisë, i takon vendeve anëtare që të marrin vendimin”, u shpreh ministri Bushati.

Ministri i Jashtëm dhe ai i Drejtësisë i Austrisë u pritën edhe nga kryeministri Edi Rama. Ai i falenderoi ata për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë, në mënyrë të veçantë për nismën e dërgimit të një letre homologëve të BE, për të mbështetur statusin kandidat për Shqipërinë.

Siç njofton zyra e shtypit në Kryeministri, gjatë takimit u fol edhe për rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe për reformën në sistemin e drejtësisë. Kryeministri theksoi se qeveria është e vendosur në këtë sfidë jetike për shoqërinë shqiptare, njoftoi zyra e shtypit.

Top Channel