Meta: Ministrat i vlerëson Rama

16/06/2014 00:00

Ka shfrytëzuar një takim me ish-presidentin kroat, Stipe Mesic, aleati më i madh në qeverinë Rama për të sqaruar zërat në partinë e tij për ndryshime në qeveri, siç ishte rasti i deklarimit të deputetit të LSI, Gjovalin Kadeli.

Ilir Meta deklaroi se vlerësimin për performancën e ministrave e bën Kryeministri.

“Përgjegjësinë kryesore qeverinë dhe qeverisjen, në radhë të parë e ka kryeministri dhe absolutisht që LSI ka qenë dhe është në mbështetje të plotë të ushtrimit të përgjegjësive nga ana e kryeministrit, duke evituar cdo vlerësim personal të cilitdo, qoftë edhe deputet, ndaj kujtdo, qoftë edhe ministër. Kështu që besoj se ky është një qëndrim shumë i qartë i LSI-së. Cdo deklaratë e nxituar dhe personale mendoj se nuk ndihmon cilindo që nxitohet. Sa i përket marrëdhënieve PS-LSI, ato janë shumë solide”, u shpreh kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Kryeparlamenti tha se mbështet punën e Policisë së Shtetit dhe specifikisht ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Por, për të treguar se gjithmonë ka vend për përmirësime, Ilir Meta e bëri këtë duke e nisur nga Kuvendi.

“Por, asnjëherë një palë nuk ka të drejtë të kërkojë llogari e të mos japë llogari”, theksoi zoti Meta.

Pas shumë interpretimeve mediatike për largimin e tij përpara se kryeministri Rama të mbante fjalimin në festën e PS-së, Ilir Meta bëri sqarimin që mbante brenda, sipas tij, një keqkuptim.

“Nëse doni një përgjigje fare të sinqertë, kjo ka të bëjë me ngatërrimin e orarit të fillimit të ceremonisë së hapjes së kampionatit botëror të futbollit. Kjo nuk ishte më e rëndësishme, por ka qenë e mjaftueshme për të marrë pjesë në festën e PS dhe thjesht ka qenë një keqkuptim oraresh. Nëse do ta dija që ndeshja fillonte më vonë, padyshim që do të qëndroja më shumë, sepse ishte një kënaqësi. Në ndeshjen e parë luante Kroacia dhe nuk është asnjë sekret që unë, kur luajnë ekipet e Ballkanit jam tifoz me to”, përfundoi Meta.

Top Channel