Londra pro statusit të Shqipërisë

15/06/2014 00:00

Në shkrimin me titull “Konservatorët i kthehen Cameronit për mbështetjen që do i japë Shqipërisë për t’u futur në BE”, ‘The Sunday Times’ e Londrës konfirmon nga burime qeveritare se Britania do mbështesë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.

Gazeta thekson se kryeministri për këtë qëndrim ndodhet përballë revoltës së udhëheqësve të tjerë konservatorë të partisë së tij, që i kërkojnë të ndryshojë qëndrimin për statusin. Frika e deputetëve konservatorë, sipas gazetës, është se kjo do të çojë në qindra-mijëra shqiptarë të drejtohen drejt Britanisë, edhe pse çuditërisht këta deputetë e dinë se shqiptarët kanë nevojë për vizë britanike për të ardhur në Britani dhe statusi nuk ndryshon asgjë në këtë drejtim.

Më herët, kryeministri Cameron ka sugjeruar se ai dëshiron të ndryshojë rregullat e BE-së për lëvizjen e lirë me qëllim që shtetasit e vendeve të reja anëtare të mos mund të hyjnë në Britani derisa të ardhurat mesatare në vendet e reja të jenë të krahasueshme me vendet e tjera evropiane.

Deputetë të partisë së kryeministrit thonë se Cameron duhet të vërë veton për hyrjen e Shqipërisë derisa të rinegociohen këto rregulla me vendet e tjera të BE-së.  

Sipas ‘The Sunday Times’, kryeministri në takimin e G7-s muajin e kaluar tha se do kërkonte kufizime për shqiptarët që do udhëtonin në Britani, por pa dhënë detaje konkretisht se për çfarë.

Gjatë kësaj jave në Londër ishte për lobim edhe ministrja shqiptare e Integrimit Klajda Gjosha, e cila pati takim në Foreign Office me ministrin britanik për Evropën,  David Lidington, ku u mësua se qëndrimi britanik do vendosej brenda kësaj jave.

Lajmi i gazetës prestigjoze ‘The Sunday Times’ konfirmon se Londra do e mbështesë statusin e vendit kandidat edhe pse kjo nuk është ende zyrtare.

Top Channel