“Holanda përkrah Shqipërisë”

15/06/2014 00:00

Holanda konfirmon mbështetjen e saj për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE.

Gjatë ceremonisë në nderim të 100-vjetorit të vdekjes së Kolonelit Thomson në Durrës, në të cilën mori pjesë dhe Kryeministri Edi Rama, Ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Martin de Labeij tha se Holanda ashtu si 100 vite të shkuara me Kolonelin Thomson do të vazhdojë t’i qëndrojë përkrah Shqipërisë për marrjen e statusit.

Në këtë 100-vjetor figura e Kolonel Thomsonit nderohet nga i gjithë Durrësi dhe banorët e tij.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjithashtu u ndal në kontributin e veçantë të kolonelit holandez në historinë e një periudhe të brishtë, nëpër të cilën po kalonte shteti shqiptar: Thomson ishte ushtaraku i parë që erdhi me mision paqeruajtës nga Holanda në vendin tonë. Ai u dërgua në Shqipëri në vitin 1914 për të organizuar forcat mbrojtëse të shtetit shqiptar që u krijua në atë kohë me Princ Vidin në krye.

Ai u vra më 15 qershor të po atij viti tek Ura e Dajlanit, teksa mbronte qytetin nga sulmi i forcave rebele pro-otomane. Historikisht, figura e tij ka një rol thelbësor në lidhjet mes dy vendeve dhe që nga viti 2003, busti i tij është vendosur në qytetin e Durrësit në shenjë nderimi ndaj kontributit të tij në forcimin e shtetit shqiptar.

Top Channel