Pas ashpërsimit të Kodit Penal për ata që vjedhin energjinë elektrike, qeveria miraton masa të reja që shtrëgojnë biznesin të ekzekutojë detyrimet e energjisë elektrike, para pjesëmarrjes në tenderat publikë.
Këshilli i Ministrave vendosi ndryshimin e rregullave të prokurimit publik duke përfshirë si kriter në dokumentet e tenderit edhe pagesën e detyrimeve të energjisë nga operatorët ekonomikë.
Kjo do të kërkojë që ofertuesit në proçedurat e prokurimit për kontratat e punëve, mallrave dhe shërbimeve të paraqesin një dëshmi që konfirmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve të energjisë elektrike.
Mos shlyerja e këtyre detyrimeve përbën shkak për skualifikimin e ofertuesit, përveç rastit kur rezulton se detyrimet e papaguara janë në proces ankimi në gjykatë.
Furnizuesi i energjisë elektrike është i detyruar që të lëshojë këtë dëshmi jo më vonë se 5 ditë nga depozitimi i kërkesës nga operatori ekonomik.
Një ndryshim i ngjashëm është miratuar edhe për proçedurat dhe dokumentacionin për miratimin e lejeve minerare në zonat e hapura.
Në listën e dokumentacionit që subjektet do të duhet të paraqesin pranë Qendrës Kombëtare të Liçencimit për marrjen e një zone të hapur minerare, ndër të tjera përfshihet edhe pagesa e plotë e energjisë elektrike.
Edhe në këtë rast mosplotësimi i këtij kushti, përbën shkak për refuzimin e aplikimit, përveç rasteve kur rezulton se detyrimet e papaguara janë në proces ankimimi.
Efektet e këtij ndryshimi aplikohen edhe sa u përket proçedurave për aplikimin e një lejeje minerare kërkim-zbulimi apo shfrytëzimi.
Nisma do të realizohet në bashkëpunim me strukturat e kompanisë CEZ Shpërndarje, e cila do të verifikojë në kohë reale detyrimet dhe do t’u dorëzojë subjekteve vërtetime që konfirmojë gjendjen e pagesave të tyre.
Top Channel