Reforma në arsimin e lartë

11/06/2014 00:00

Reforma në arsimin e lartë është një nga çështjet kryesore të këtyre ditëve dhe më të debatuara. Pas publikimit të draftit të parë pati protesta nga studentët. Komisioni që hartoi  brenda pak ditëve do të publikojë edhe draftin e dytë.

I ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel për të folur mbi këtë çështje ishte Arian Gjonçaj, kryetar i komisionit për këtë reformë.

Pandi Gjata: Jemi në fazën kur palët kanë dhënë mendimin e tyre, ka vërejtje dhe kritika, patën edhe një protestë të studentëve. Cilat nga këto sugjerime do të merrni parasysh ju si komision në prag  të draftit të dytë që do të publikoni?

Arian Gjonçaj: Duhet theksuar që ky është një proces që ka nisur rreth 6 muaj më parë. Një komision i pavarur, i cili prodhoi një draft të parë, i cili është nxjerrë për t’u diskutuar dhe në një muaj e gjysmë kemi pasur takime nga më të ndryshmet, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe më të gjitha grupet e interesit. Ka pasur mendime të ndryshme, na kanë mbështetur dhe kritikuar. Jemi në fazën e sistemimit të këtyre mendimeve dhe më pas për të reflektuar në draftin e dytë.

Pandi Gjata: Mund të themi cilat janë disa nga ndryshimet kryesore që do të përfshihen në këtë draft?

Arian Gjonçaj: Në një draft të tillë nuk detajohen gjërat. Raporti brenda një institucioni të arsimit të lartë midis anës akademike dhe anës menaxheriale ose administrative. Një nga vërejtjet e bëra është se këto të dyja nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por ato janë jashtëzakonisht të lidhura dhe ne kemi krijuar dhe hallkat se si funksionon bordi administrativ, i cili në vetvete ka qenë i kontestuar. Nuk është e vërtetë që ky bord ka kompetencat më të mëdha të universitetit, por ka përgjegjësinë për anën financiare të universitetit. Një tjetër kontestim është edhe problemi i menaxherëve, këtu ka një keqkuptim.

Pandi Gjata: Do të sqarohet apo do të ndryshojë?

Arian Gjonçaj: Do të sqarohet më mirë. Problemi është se në radhë të parë kjo nuk është e detyrueshme. Sepse ne e kemi sjellë vendimmarrjen te departamenti, i cili duhet të ketë një staf ndihmës dhe në këtë drejtim është menduar menaxheri.

Pandi Gjata: Çështja e financimit, por edhe tarifat e studentëve janë ato për të cilat ka pasur debate këto ditë. Do të rriten tarifat e studentëve pas kësaj reforme?

Arian Gjonçaj: Kjo nuk është një çështje vetëm shqiptare, por mbarë botërore. Në e kemi financimin në arsimin e lartë shumë të vogël, vetëm 0.5% të GDP, ndërkohë që në vendet e zhvilluara në botë në botë është 5%. Në një plan afatgjatë është menduar që të liberalizohen tarifat e studentëve. Për nivelin e masterit do të ketë një liberalizim më të madh, por do të ketë një tavan për nivelin Bachelor. Ky liberalizim shoqërohet me politika të forta sociale. Ne sugjerojmë që të rritet deri në masën 30% numri i bursave të dhëna për profesione të veçanta.

Pandi Gjata: Do të parashikohet edhe financimi i universiteteve private?

Arian Gjonçaj: Ky është një keqkuptim, ndoshta edhe një keqdashje. Në periudhën e parë që është 3 deri në 5 vjet, nuk bëhet fjalë që institucionet private të marrin para nga shteti. Në kërkimin shkencor përfiton i gjithë kombi dhe janë të hapur të aplikojnë të gjithë kërkuesit shkencorë.

Pandi Gjata: Kur do të bëhet publik edhe drafti i dytë që do të përfshijë edhe të gjitha këto vërejtje dhe sugjerime?

Arian Gjonçaj: Na ka dhënë pak frymëmarrje qeveria. Megjithatë brenda një muaji shpresojmë që ta kemi përfunduar edhe draftin e dytë edhe ky draft mund të diskutohet.

Pandi Gjata: A do të kemi një rritje të cilësisë në arsimin e lartë me këtë reformë?

Arian Gjonçaj: Rritja e autonomisë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Qëllimi numër 1 i reformës është të përmirësojmë cilësinë e arsimit të lartë. Që nga fillimi ne do të rrisim notën mesatare ne hyrje, por edhe mekanizmat e kontrollit në mësimdhënie gjatë gjithë ciklit të tij. Për herë të parë do të futet edhe kontrolli i cilësisë në detaje i punës kërkimore-shkencore.

Top Channel