Pesticidet te produktet ushqimore, ja masat e reja të Ministrisë së Bujqësisë

11/06/2014 00:00

Me rrezikun që vjen prej tyre, ne përballemi sa herë që ulemi në tavolinë për të ngrënë. Dhe, në rast se përqindja është tej normave të lejuara, atëherë duhet bërë vërtet kujdes.

Niveli i pesticideve në fruta-perime është ai, që duhet kontrolluar më së shumti në produktet, që konsumojmë në përditshmërinë tonë. Kryesisht duhet të tregohemi të vëmendshëm te mollët, gruri, domatet, trangujt, patatet, bananet, ullinjtë e tavolinës apo specat.

Për të shmangur këto rreziqe, së fundmi, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave nxorri një udhëzim, i cili përcakton nivelet maksimale të mbetjeve të pesticideve në produktet ushqimore.

Bazuar në Konventën e Stokholmit, e hyrë në fuqi në vendin tonë që në vitin 2005, të gjitha vendet që e kanë firmosur angazhohen në eliminimin e pesticideve, që janë të dëmshme për njerëzit, të cilat cilësohen si ndotës organikë të vazhdueshëm.

Por, çfarë kostoje kohore dhe financiare ka eliminimi i pesticideve të dëmshme në produktet ushqimore? Konventa parashikon që ndryshimi i situatës nuk është i menjëhershëm dhe se shtetet duhet të plotësojnë angazhimet e tyre, pavarësisht mundësive ekonomike.

Top Channel