Një ditë përpara seancës plenare, ku do të merret vendimi për komisionin hetimor mbi emërimet në administratë, të kërkuar nga Partia Demokratike, opozita u shpreh dyshuese për vullnetin e mazhorancës.

Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, megjithëse kjo u caktua të ishte një javë negociatash, asgjë nuk ka ndodhur, edhe pse, siç thotë ai, opozita ka bërë edhe disa korrigjime në objektin e komisionit, të këkruara nga socialistët një javë më parë.

Ajo që demokratët nuk pranojnë të ndryshojnë është periudha për të hetuar ligjshmërinë e emërimeve në administratë nga 2013-a në 2009-n, siç duan socialistët.

“Që ne të pranojmë që mazhoranca të përcaktojë objektin e hetimit tonë është absurde, është jashtë çdo logjike. Pastaj i ngelet vetëm që mazhoranca të emerojë edhe opozitën, të përcaktojë edhe se kush duhet të jetë në opozitë, pasi ky është hapi i fundit. Kështu që, gjendemi prapë para një situatë të tillë kur kemi një shtyrje të pajustifikuar të ngritjes së komisionit hetimor  në kundërshtim me Kushtetutën. E përsëris, në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe pa asnjë përpjekje nga mazhoranca gjatë kësaj periudhe, pra nga e enjtja deri më sot, gati një javë, një javë plot për t’u marrë vesh lidhur me pretendimet që ata ngritën”, deklaroi Paloka.

Tek heshtja e mazhorancës dhe tek mungesa e negociatave të paralajmëruara në Kuvend një javë me parë, demokratët shohin mungesën e vullnetit të qeverisë për të respektuar Kushtetutën dhe të drejtat e opozitës në Parlament.

“Mesa duket qëllimi i tyre, e thashë në fakt edhe herën tjetër në parlament, nuk është aspak një përpjekje për të arritur një marrëveshje midis dy palëve. Qëllimi i tyre është që ta shtyjnë sa të mundin votimin për këtë komision hetimor, derisa sipas tyre, të merret statusi apo të kalojë afati kur të merret vendimi për marrjen e statusit, dhe pastaj të veprojnë me këtë komision siç kanë vepruar me të gjithë komisionet, pothuajse me të gjithë komisionet që ne kemi kërkuar. Po ta hedhin poshtë do ishte antikushtetuese dhe pa asnjë logjikë”, theksoi Paloka.

Top Channel