Jonida Aliçkolli, një set fotografik për të kujtuar shtatzaninë

11/06/2014 00:00

Jonida Aliçkolli nuk ka shanse ta harrojë shtatzaninë e parë. E sigurt që jo, pas këtyre fotove, të cilat i ka pritur me padurim.

I ka pritur, sepse moti nuk e ka favorizuar deri më tani. Ndërkohë që muajt iknin dhe ajo kishte mbërritur në të tetin, pa bërë setin e paracaktuar që në fillim.

Por ja, koha e duhur erdhi. Një piknik në natyrë me Andin, babain e Mias, vogëlushes në pritje, që edhe për pak ditë do i veshë vërtet pupat, që ia ka punuar gjyshja me grep.

Do kishte dashur t’i kishte bërë këto foto më parë, ndoshta do dukej më bukur.

Raporti i trupit me ndjenjën e të qenit bukur gjatë shtatzanisë s’është ndër më të lakmuarit. Por, këto janë vetëm disa grimca mendimesh, që veniten në kohën e një shkrepjeje fotografike. Në këtë moment, vërtet s’ka vend për komplekse. Pastaj, a ka më bukur?

Mikeshat janë akoma më entuziaste se ajo. E kanë shoqëruar Jonidën në këtë set, jo vetëm për ta ndihmuar, por edhe për ta shijuar bashkë me të këtë moment.

“Përveç faktin që prej kaq vitesh jemi shoqe të ngushta, unë gjithmonë kujdesem për look-un e saj, që ajo të duket sa më e bukur. Doja të asistoja në këtë set, pasi për vete më ka munguar kjo pjesë, edhe pse jam nënë e dy fëmijëve. Jam shumë e lumtur që shoqja ime do të presë fëmijën e saj të parë dhe së shpejti Mia do të jetë pranë nesh. Do t’i uroja asaj një lindje sa më të mbarë dhe fat”, u shpreh shoqja e Jonidës.

Edhe Mias duket se po i pëlqen. Nuk ka protestuar deri më tani, pavarësisht lodhjes që shoqëron zakonisht realizimin e një seti fotografik. Kur të dalë në jetë, duke pasur Jonidën për mami, e sigurt që do e provojë akoma më shumë. Por, edhe do e kuptojë se është gjithmonë lodhje, që ia vlen.

Gjërat e para, gjithmonë janë të lehta për t’u mbajtur mend. Por, vitet ikin dhe fotot ndihmojnë shumë.

Top Channel