Dëshmia: Garancia për paketimin e drogës

07/06/2014 00:00

“Një nga njerëzit e mi të afërt më tha se më kishte gjetur punë. Do të paketoja pakot me hashash dhe do të ndihmoja që të ngarkoheshin në avion”.

Kështu ka pohuar para hetuesve Kleviol Ahmetaj nga qyteti i Lushnjes, personi i katërt i arrestuar për çështjen e avionin të rrëzuar në Divjakë. Ndërkohë që vijojnë të jenë në kërkim edhe tre bashkëmoshatarë të tjerë të tij, nga i njëjti qytet.

I riu ka pranuar se kishte bashkëpunuar me krutanin Sajmir Bajrami, të cilin sipas rrëfimit, e kishte takuar në një lokal të njohur në Divjakë nën shoqërinë e një personi tjeter dhe që sipas të riut, është prezantuar si baxhanaku i Bajramit dhe si shef policie.

Ahmetaj ka pohuar se ishte pikërisht ky person për të cilin ai thotë se nuk ia mban mend emrin, që na siguroi se askush nuk do na prekte dhe që ne ishim të sigurtë në punën që do të bënim”.

Sipas prokurorisë Ahmetaj ka gjetur edhe disa bashkëmoshatarë të tjerë të tij me të cilët ka paketuar drogën. Ky person madje i ka shoqëruar të rinjtë edhe në plazhin e Divjakës , ku janë vendosur tre flamuj të kuq si shenja për uljen e avionit. Por ndërsa avioni kishte ngecur në rërë, i pari që është larguar nga vendngjarja ka qenë pikërisht personi i prezantuar si shef policie.

Bashkëpunimin e të riut me grupin e hetimit për të cilin nuk konfirmohet nëse do marrë apo jo statusin e bashkëpuntorit të drejtësisë e konfirmoi në dalje të gjykatës edhe avokatja Vjollca Pustina, ku klienti i saj u njoh me masën e arrestit.

“U konfirmua që është i njëjti person që gjykata ka dhënë këtë masë sigurimi. Unë kërkova një masë më të butë duke qenë që personi ka bashkëpunuar, por gjykata vendosi që duhet të vazhdojë kjo masë sigurimi”, thotë avokatja Pustina.

Pas zbulimit të 11 gjurmëve të  gishtave në pakot e drogës që do të ngarkohej në avion, u shpallën në kërkim pesë të rinj nga Lushnja, gjurmët papilare të të cilëve vunë në dyshim edhe rrëfimin e Sajmir Bajramit i cili ishte shprehur më herët se e kishte blerë drogën në Fushë Krujë.

Ndërsa Bajrami dhe Riformato kanë mbi vete masat e sigurise edhe nga Apeli i Krimeve të Rënda, aktualisht janë në pritje për të dalë para Apelit edhe dy të rinjtë  Aurel Pupe e mandej Ahmetaj, ndërkohë që qendrojnë në fuqi edhe tre masa të tjera arresti të shpallura në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Top Channel