Turistët çekë: Bëni rrugë në male!

06/06/2014 00:00

Natyra malore, njerëzit mikpritës dhe tradita shqiptare afrojnë çdo vit në Shqipëri rreth 10 mijë turistë çekë të cilët preferojnë të bëjnë turizëm malor në Theth, Valbonë apo Korab.

Interesi i lartë i tyre ka sjellë në një tur pesë ditor operatorët turistikë çekë të cilët kanë eksploruar disa nga zonat më të spikatura turistike në vend. Për të rritur numrin e turistëve çekë në Shqipëri, operatorët evidentojnë disa nga problematikat në drejtim të të cilave duhet bërë më shumë.

Michal Veber, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Operatorëve Turistikë Cekë, shprehet: “Duhet të bëni shumë gjëra, sidomos në infrastrukturë. Ju duhen më shumë rrugë në male që të shkosh atje më lehtë. Diçka jo e mirë me të cilën jemi përballur janë mbeturinat, të cilat i sheh shpesh.”

Operatorët çekë thonë se krahas turizmit malor që përbën interes të veçantë për ta, kanë zbuluar në Shqipëri edhe një bregdet që përbën potencial për ardhjen e turistëve çekë në Shqipëri.

“Gjatë udhëtimit pamë që bregdeti është shumë i bukur dhe në kushte për të afruar turistë. Problemi është se ne njohim Greqinë, Egjiptin, Kroacinë… Ka ende shumë për të bërë në mënyrë që çekët të dinë se Shqipëria ka plazhe të bukura dhe njerëz të sjellshëm ku të mund qëndrojnë dhe ku të bëjnë pushime të këndshme”, shtoi Veber.

Këtë vit pritet që numri i turistëve çekë që do të vizitojnë Shqipërinë të rritet me 10 %.

Top Channel