Banesat sociale në Lushnje

06/06/2014 00:00

Në Bashkinë e Lushnjes është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e dy pallateve për të pastrehët. Të pranishëm kanë qenë ministrja e Eglantina Gjermeni, drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave Doris Andoni, kryetari i bashkisë Fatos Tushe dhe zyrtarë të tjerë.

Marrëveshja e nënshkruar ditën e premte i hap rrugën fillimit të investimit i cili kap vlerën e 180 milionë lekëve.

Trualli ku do të ndërtohen banesat sociale ofrohet nga Bashkia e Lushnjes me një sipërfaqe prej 2.862 metra katrorë, ndërsa emrat e përfituesve do të vendosen me vendim të Këshillit Bashkiak.

Sipas ministres Gjermeni, këto projekte do të jenë një model i ri për efiçencën e energjisë, të cilat do të zbatohen në çdo ndërtim që do të kryhet që nga 2014.

Statusin e të pastrehëve në Lushnje e kanë përfituar 368 persona, ndërsa 27 të tjerë kanë marrë kredi nga shteti. Dy pallatet do të ndërtohen nga Enti Kombëtar i Banesave, ata do të jenë 8-katësh dhe do të strehojnë 75 familje.

Top Channel