Arsimi i fëmijëve të verbër

06/06/2014 00:00

Fëmijët me shikim të kufizuar apo të pjesshëm mund frekuentojnë tashmë shkollat publike në qytetin e tyre, pa qenë nevoja të shkëputen nga familja për të ardhur në Tiranë.

Deri më tani, mësuesit e sistemit 9-vjeçar kanë hasur vështirësi, pasi nuk kanë njohuritë e nevojshme për sistemin Brail. Për këtë, Instituti i fëmijëve që nuk shikojnë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, do të mundësojnë një specialist për çdo qark, për të trajnuar mësuesit e shkollave 9-vjeçare.

“Është prezente vështirësia e komunikimit të mësuesve të zakonshëm me nxënësit që kanë probleme në shikim, megjithëse duhet theksuar se ata marrin në vazhdimësi materiale kualifikuese dhe trajnohen për këtë qëllim, sidoqoftë, ajo që do të jetë e re në këtë periudhë për vitin që pritet të fillojë, do të jetë prezenca më intensive e institutit tonë në shkollat publike, me qëllim që specialistët tanë të cilët janë të trajnuar t’i transmetojnë eksperiencën mësuesve të zakonshëm dhe bashkarisht të ndjekin në vazhdimësi ecurinë e nxënësve në këto shkolla”, tha Xhemal Xhafa, drejtor i Institutit të fëmijëve që nuk shikojnë.

Në Institutin e fëmijëve që nuk shikojnë mësojnë 60 nxënës të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit.

Ndërkohë që të tjerë, për të mos u larguar nga familjet e tyre, frekuentojnë orë mësimi të mundësuara nga shoqata të ndryshme dhe fetare, që angazhohen për këtë, cilësia e mësimdhënies prej të cilëve nuk kontrollohet nga askush.

Instituti i fëmijëve që nuk shikojnë ka festuar 50-vjetorin e krijimit të saj, ku kanë marrë pjesë breza të ndryshëm, që kanë kaluar nga kjo shkollë.

Top Channel