Shkelja e ligjit anti-duhan, tashmë gjobë edhe për konsumatorët

04/06/2014 00:00

Nëse jeni duhanpirës dhe e konsumoni atë edhe në ambientet e mbyllura publike, tani e tutje duhet të bëni kujdes të veçantë. Përveç mushkërive, kjo mund të përkeqësojë edhe financat tuaja.

Shtatë vite pas hyrjes në fuqi të ligjit anti-duhan dhe moszbatueshmërisë së tij, Ministrisë së Shëndetësisë i është dashur të hartojë një draft të ri, me shumë ndryshime dhe ashpërsim të gjobave, tani jo vetëm për ata që menaxhojnë apo kanë në pronësi hapësira ku pihet duhan, por edhe për vet konsumatorët.

Dhe, jo vetëm konsumatorët e thjeshtë, por edhe figurat që kanë ndikim publik do të preken drejtpërdrejtë nga ndryshimet e reja të ligjit, i cili për këta persona parashikon një nivel gjobe, që mund të arrijë deri në 50 mijë lekë të reja.

Së treti, për ta bërë ligjin më të zbatueshëm, Ministria e Shëndetësisë ka propozuar që të mos jetë vetëm Inspektoriati Shtetëror Sanitar, ai që do të kujdeset për vënien në zbatim të këtij ligji, por edhe Inspektoriati Kombëtar i Mjedisit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimi i Zjarrfikëses.

Për personat që shkelin ligjin do të ketë një llogari bankare të posaçme, ku do të bëhet pagesa e gjobës, pasi konsumatori të ketë paraqitur kartën e identitetit. Në rast se shkelësi nuk do të ketë me vete dokumentin e identifikimit, inspektori përkatës mund të kërkojë edhe mbështetjen e policisë.

Duhanpirja në mjediset publike, ligji që nuk u zbatua për 7 vite

Ai konsiderohet si një ndër ligjet, që nuk u zbatua thuajse asnjëherë. Edhe pse hyri në fuqi në vitin 2007, ligji anti-duhan vijon të mos rezultojë frytdhënës në pjesën më të madhe të ambienteve publike, ku ndalohet pirja e tij.

Shtatë vite më parë, qeveria e asaj kohe trumbetoi fort ndëshkimet kundrejt abuzuesve. Çdokush që do të pinte duhan në institucione publike, si ambientet e punës, baret, restorantet, aeroportet apo qendrat tregtare, do të gjobitej me 50 mijë lekë.

Por, pavarësisht fushatave promocionale, zbatimi në terren ishte thuajse i pamundur. Vit pas viti u publikuan nisma të reja për ligjin anti-duhan, ku mes tyre ishte edhe ngritja e një “Task-Force” dhe shtim i numrit të inspektorëve, që do të merreshin me kontrollin, nisma të cilat dështuan gjithashtu njëra pas tjetrës.

Mosimplementimi me sukses i ligjit reflektohej herë pas here edhe në raportet e ndërkombëtarëve, të cilët, mes shumë problematikash dhe mangësish në zbatimin e ligjit, listonin edhe ngërçin me ligjin anti-duhan.

Mospirja e duhanit në ambiente publike, në rast se do të gjente zbatim, do të ulte ndjeshëm edhe shifrat e duhanpirësve në vendin tonë, të cilët po rriten dita-ditës.

Top Channel