Rritet përdorimi i alkoolit, ulet mosha

04/06/2014 00:00

20 persona në gjendje të dehur, disa prej të cilëve edhe në gjendje kome,  paraqiten cdo ditë në shërbimin e adiktologjisë dhe toksiokologjisë në QSUT.

Pothuasje 5 % popullsisë ka krijuar varësi ndaj alkoolit, por shifrat janë edhe më të larta pasi nuk ka studime të mirëfillta dhe se jo të gjithë frekuentojnë klinikat e posaçme. Mjekët thonë se alarmante është rritja e konsumit të alkoolit nga moshat e reja deri dhe nxënësit e shkollave të cilët e kombinojnë atë edhe me droga të lehta. Por një tendencë në rritje është dhe teprimi me pijet alkolike nga femrat.

“Problemi më i mprehtë është ulja e moshës së përdorimit për herë të parë, që është vërtet një alarm sidomos kur këtë e konsumojnë edhe nxënës të shkollave. Është një problem i gjinisë mashkullore, shohim këto 5 vitet e fundit një rritje të femrave që konsumojnë alkool, bashkë me duhan, madje në këto pesë muajt e fudnit kemi patur raste të komplikuara nga mbidoza e toksikimit të shpeshta, sidomos më në dukje në fundjavë të femrave që konsumojnë alkool në një masë shumë të lartë, shumë të shpejtë dhe pa asnjë ushqim”, thotë Prof .Dr. Zihni Sulaj, shef i Shërbinit të Adiktologjisë dhe Toksikologjisë.

Fundjavat kanë numrin më të madh të përdoruesve të alkoolit ku pothuajse në asnjë lokal nuk respektohet mosha e përdorimit dhe në spital paraqiten grupe të rinjsh të dehur të cilët vështirësojnë dhe menaxhimine tyre. Sipas  shifrave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 7 % e popullsisë  e teprojnë me pijet alkolike në Shqipëri.  

Varësia ndaj tyre ka bërë që 170.000 mijë persona ta vuajnë alkoolin si një sëmundje kronike me të gjitha pasojat negative jo vetëm në shëndet. Vec shëndetit problemet sociale në familje janë një pasojë e rëndë. Bashkëshortet të lodhura nga  partnerët e alkolizuar ushtrojnë dhunë fizike ndaj tyre.

“Ata që gjenerojnë varësinë nga alkooli dhe ata që gjenerojnë varësinë alkool plus marijuanë, apo substanca të tjera, trendi është në rritje. Kur kemi të bëjmë me vartës apo abuzues do të thotë që është goditur shëndeti mendor dhe derivatet negative janë në sjellje. Kemi probleme të mëdha në marrëdhëniet familjare. Në pjesën më të madhe të rasteve referohet dhunë nga bashkëshorti kundrejt bashkëshortes, apo bashkëjetuesi kundrejt bashkëjetueses dhe viktimizimi i fëmijëve. Por po konstatojmë një dhunë verbale dhe në raste të rralla edhe fizike nga bashkëshortja kundrejt bashkëshortit”, deklaron Shpëtim Doksani nga Klinika e Alkoologjisë.

40 % e përdoruesve të alkoolit i përkasin familjeve të varfra, 35 %  i përkasin familjeve të mesme ndërsa pjesa tjetër janë të pasur. Ndonëse janë të detyruar të ruajnë privatësinë, mjekët thonë se ka shumë figura publike që trajtohen për varësi ndaj alkoolit.

Top Channel