Unifikimi i programeve mësimore

03/06/2014 00:00

Shqipëria dhe Kosova do të jenë unike në sistemin arsimor parauniversitar. Për herë të parë nxënësit shqiptarë dhe ata të Kosovës do të mund të mësojnë me të njëjtat tekste shkollore, duke sjellë një bashkim historik mes dy vendeve.

“Studenti i Kosovës, kudo qoftë, mund të jetë i lirë të jetë nxënës i shkollës shqiptare dhe anasjelltas. Gjithashtu, nxënësit tanë do mund të ndjekin shkollat në BE, sepse kurrikula e unifikuar është zyrtare e Bashkimit Evropian”, deklaroi ministrja Lindita Nikolla.

“Nuk ka një marrëveshje më kuptimplotë e të realizuar për kombin. Është e parëndësishme se kush ka marrë më shumë nga kush, kurrikula e Kosovës nga ajo e Shqipërisë apo anasjelltas. E rëndësishme është që jemi bashkë”, deklaroi ministri kosovar, Ramë Buja.

“Hapat drejt këtij unifikimi nuk janë një lëvizje drejt bashkimit mekanik përtej kufirit, por një ecje e përbashkët drejt asaj që duam të kemi nesër për gjeneratën e re të shqiptarëve”, deklaroi nga ana tjetër kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama tha se kjo marrëveshje historike do të çojë para edhe gjuhën shqipe. “Puna për unifikimin përbën mundësinë për të ndaluar rënien e mëtejshme të gjuhës shqipe, për t’i kthyer asaj rëndësinë në sistemin arsimor”, nënvizoi Rama.

Pas pak ditësh pritet të përfundojë edhe marrëveshja me Google, e cila do të ndikojë në shtrimin e infrasturkturës teknkologjike për vijimin e mësimit në shkollat e Shqipërisë.

Ministri kosovar: Sistemi ynë i arsimit është evropian

Por përse Shqipëria zgjodhi sistemin arsimor kosovar? Çfarë ndikimi do të ketë në arsimin shqiptar dhe a do të shkojmë ne ashtu si dhe Kosova drejt një teksti të vetëm. Ministri kosovar i Arsimit, Ramë Buja tha se ky sistem europian ka rezultuar i suksesshëm për ta.

“Fëmijët tanë do mësojnë me libra të njëjtë dhe kjo do na bëjë të jemi më shumë bashkë. Modeli ynë është 5+4+3, Shqipëria e ka pasur më ndryshe dhe ka vendosur duke e krahasuar me modele të tjera. Ky model shton mundësitë dhe aftësitë e të qenit kompetentë të nxënësve në lëndët ku ata janë më mirë. Me unifikimin do të ndodhë diçka shumë e mirë dhe do realizojmë tekste të profesionalizuara”, sqaroi Buja.

Top Channel