Tregu i perimeve në Elbasan

03/06/2014 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti inspektoi punimet për ndërtimin e tregut të ri të shumicës së fruta-perimeve në qytetin e Elbasanit.

Investimi, i cili deri tani kap vlerën e 1.2 milionë dollarëve, me një sipërfaqe prej 16 mijë metra katrorë, do të mbështetet nga qeveria shqiptare, kryesisht me pajisje frigoriferike për ruajtjen e produkteve në kushte të përshtatshme.

Sipas ministrit, ky treg është investimi më i rëndësishëm përsa i përket bujqësisë në qarkun e Elbasanit, i cili do të nxisë prodhimin bujqësor dhe do të gjenerojë vende pune.

“Këtu kemi një nga investimet më domethënëse për Elbasanin. Kemi ndërtimin e një pike të madhe të grumbullimit dhe ruajtjes së prodhimeve bujqësore, që nxit edhe prodhimin. Këto pika mundësojnë gjithashtu lëvizjen e prodhimeve”, deklaroi Panariti.

Ministri theksoi më tej se në këtë treg çdo mëngjes do të zhvillohen ankande që do të përcaktojnë çmimin e çdo produkti. Këto çmime do të publikohen dhe të gjithë prodhuesit do të njihen me to duke garantuar në këtë mënyrë transparencën.

Ministri tha se pikërisht këtu, fermeri përveç vlerës nga shitja e produktit do të përfitojë edhe subvencionin në masën 15-20, siç e parashikon ligji.

“Ne do përqendrojmë këtu shërbimet e konsulencës. Do të jetë modeli one stop shop. Fermeri do dorëzojë prodhimin në një pikë dhe do të marrë shërbime, do të marrë oferta të farave të plehrave kimike të sigurta, cilësore e të çertifikuara”, nënvizoi Panariti.

Ministri vijoi më tej vizitën e tij në qytetin e Elbasanit duke vëzhguar investime të fermerëve të ndryshëm.

Top Channel