Shkolla shqipe e Brukselit

03/06/2014 00:00

Ambasadori shqiptar në Bruksel, Ilir Tepelena, sikundër dhe përfaqësuesit e ambasadës së Kosovës në Belgjikë dhe të komunës Molenbek, shpërndanë çertifikatat në gjuhën shqipe për fëmijët e mërgimtarëve që përmbyllën këtë vit shkollor.

“Shkolla shqipe Vatra është e vogël për numrin dhe nuk është ajo që ne presim dhe kemi mundësi, sepse mundësitë janë për të qënë më e madhe dhe më e zhvilluar, por ka shumë faktorë që ndikojnë. Megjithatë, ne themi se diçka kemi bërë për këto 9 vite”, deklaroi Ibrahim Dizdari, drejtor i shkollës shqipe.

“Unë do të përpiqem të ndihmoj edhe më shumë se kaq komunitetin shqiptar, duke ushqyer edhe këtë shkollë, edhe shoqatën Albabel, me ndihmën që do mund të marr nga shteti belg. Uroj, shpresoj e besoj se do të fuqizojmë këtë shkollë dhe do të jemi edhe më aktivë në komunat e tjera ku ka shqiptarë”, tha nga ana tjetër Amet Gjanaj, deputet shqiptar në Bruksel.

Në vitin 2005, një prej 19 njësive bashkiake të Brukselit, komuna Molenbek, mundësoi që të kishte mësime plotësuese në gjuhën shqipe, brenda programit të shkollave belge, përfshirë njohuritë mbi historinë e kombit dhe gjeografinë e trevave shqiptare.

E njëjta komunë premton se vitin e ardhshëm do të ketë klasa të posaçme për nxënësit shqiptarë, ndërsa ambasada e Kosovës ofron librat shkollorë.

Top Channel