Naço çon “Gjonin” në KLD

03/06/2014 00:00

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço i ka dërguar të martën Këshillit të Lartë të Drejtësisë propozimin për shkarkimin e gjyqtarit Gjin Gjoni.

Kërkesa lidhet me konstatimet e shkeljeve dhe mashtrimeve në deklaratën e pasurisë të gjyqtarit Gjoni nga ILDKP rreth një muaj më parë.

Ky institucion ka bërë edhe një kallëzim penal ndaj Gjonit, gjyqtar në Gjykatën e Apelit dhe njëkohësisht anëtar i KLD-së.

Muajin e kaluar prokuroria apeloi vendimin e Gjykatës së Elbasanit, e cila rrëzoi kërkesën për pezullimin nga detyra të Gjonit, me argumentin që përdori edhe në kërkesë, se personi nën hetim, për shkak të detyrës që kryen mund të vërë në rrezik marrjen dhe vërtetësinë e provave.

Në këtë kërkesë prokurorët këmbëngulën në pezullimin e gjyqtarit, pasi në vendimin e saj Gjykata e Elbasanit nuk përmendi të gjitha rrethanat e faktit dhe nuk i analizoi ato në mënyrë të drejtë, para se të caktonte masën e sigurimit të kërkuar.

Gjykata, thanë prokurorët duke iu referuar një pjese të kallëzimit të ILDKP, thotë se për disa nga episodet ka përsëritje të përmendjes, se është konsumuar vepra e fshehjes së pasurisë, çka do të thotë se në këtë mënyrë vetë gjykata e pranon se nga hetimi i deritanishëm ka dyshim se personi nën hetim e ka konsumuar këtë vepër penale.

Top Channel