Grevistët apel Ramës: Mos na injoroni

03/06/2014 00:00

Grevistët që protestojnë kundër largimit të padrejtë nga puna kanë hyrë në ditën e katërmbëdhjetë të nismës së tyre.

Këtë të martë, përmes përfaqësueses së tyre Nertila Qafëzezi, ata i kanë bërë thirrje kryeministrit Rama që të mos i injorojë kërkesat e tyre, por të angazhohet seriozisht për zgjidhjen e situatës.

“Prej 14 ditësh, në vend që të dialogojmë për t’u kthyer në punë, ndodh e kundërta. Largimi i fundit i 29 punonjësve është një rast ogurkeq për të gjithë punonjësit që janë ende në administratë”, ka deklaruar Qafëzezi.

Duke iu drejtuar kryeministrit ajo është shprehur se, këtë sakrificë ajo dhe bashkëvuajtësit e tjerë nuk e bëjnë për vete, por për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

“Ne kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit. Prandaj, zoti kryeministër, bëhuni transparent, dilni nga Kryeministria dhe ejani bisedoni. Bëhuni i përgjegjshëm e human e mos bëni sikur ne nuk ekzistojmë. Ne jemi në pritje të një dialogu”, ka shtuar Qafëzezi.

Top Channel