Kostot e operacionit tek privatët

02/06/2014 00:00

Duke nisur nga muaji gusht, pacientëve që do t’u nevojitet të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale në kardilogji, kardiokirurgji apo nefrologji do t’u mbulohen shpenzimet edhe në spitalet private.

Deri në muajin gusht do të përgatiten protokollet, do të verfikohen spialet që përmbushin kërkesat e Fondit dhe do të lidhen kontratat me ta.

Sipas drejtorit të Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, i cili do të mbulojë shpenzimet në shtet dhe privat, pacienti do të diagnostikohet në QSUT e më pas do të vendoset se si do të transferohet në një spital privat të kontraktuar.

“Fillimisht pacientët do të diagnostikohen pranë qendrave tona, që do të thotë se do jetë konsulta e QSUT-së që do thotë nëse ndërhyrja është e nevojshme. Në momentin që vendoset për ndërhyrjen do shihet regjistri që kontrollohet nga Fondi i Sigurimit në bashkëpunim me QSUT. Personat e angazhuar do jenë ata që do vendosin, që në momentin që proçedurat do kryhen në spitalet shtetërore që kanë mbushur kapacitetet, disa pacientë do shërbehen në spitale private”, deklaron drejtori Astrit Beci.

Janë 10 paketa shërbimesh si ndërhyrje kirugjikale për zemrën apo veshkat, për të cilat subjektet private kanë treguar interes të kontraktohen, ndonëse kostot janë disa herë më të ulëta sesa ata që ofrojnë të njëjtin shërbim kur pacienti nuk dërgohet nga Fondi.

“Mund të mos jenë me të gjitha çmimet dakord, por në total interesi ka qenë për 10 paketat. Ne kemi pasur parasysh marzhin e fitimit, që në spitalet private do përdoret si të duan ata, ndërsa në shtetërorët si të ardhura të dyta. Fondi ynë mundëson pagesat për të gjitha këto shërbime”, nënvizon Beci.

Për të lidhur kontratën me fondin dhe për të përfituar nga fondi i saj, subjektet private duhet të përmbushin disa kritere të vendosura që lidhen me besueshmërinë dhe kreditimin e tyre, duke përfshirë pajisjet e specializuara dhe mjekë profesionistë të kontraktuar me kohë të plotë dhe jo siç ndodh rëndom, kur spitalet private përmendin emra mjekësh të cilët i kanë vetëm në një ditë të javës.

Top Channel